Të gjithë shtetasit shqiptarë që janë rezidentë në Shqipëri, por për arsye të ndryshme kanë qenë jashtë kufijëve në momentin e urdhrit të izolimit të vendit, do të riatdhesohen.
Shteti do të vërë në dispozicion mjetet e duhura, por faturën do ta paguajnë qytetarët që duan të riatdhesohen.
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka bërë me dije se ditën e enjte do të jetë funksional në sitin e AirAlbania seksioni riatdhesimi, ku të gjithë qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, por që kanë mbetur në Romë, do të mund të aplikojnë për të mbërritur në Shqipëri ditën e shtunë.
Në sitin e AirAlbania qytetarët shqiptarë do të mund të rezervojnë si fluturimin për në Tiranë, ashtu edhe duhet të zgjedhin një nga hotelet e vëna nga qeveria në dispozicion për tu karantinuar për 14 ditë.
Ministrja Balluku bëri me dije që procesi është bërë i mundur me Ministrinë e Turizmit, e cila ka përzgjedhur hotelet, “janë po ato struktura që shërbyen edhe për strehimin e familjeve që u dëmtuan nga tërmeti. Aktualisht janë tre të tilla, por tregu është i hapur, presim të interesuarit”.
Ministra shpjegoi se çdo qytetar që vjen nga jashtë dhe do të karantinohet do të paguajë kuotën, aq sa ishte për të strehuarit e të dëmtuarit nga tërmeti, 2500 lekë nata.
Pra, në orën 10 të mëngjesit ditën e enjte, siti Air Albania do të jetë gati për rezervimet e paketës së plotë të riatdhesimit që shqiptarët që janë në Romë, të kthehen në Tiranë të shtunën.
“Mund të ketë edhe dy fluturime gjatë ditës së shtunë. Jo më shumë për çështje teknike të pilotit. Do ta shtrijmë riatdhesimin me kohën edhe në vende të tjera. Bileta që do të ofrojë Air Albania do të jetë me një çmim simbolik.”- tha Minsitrja Balluku duke theksuar se të gjithë që kanë humbur fluturimet të cilat i kishin prenotuar me Air Albania do të rimbursohen ose do të rishikohen për fluturimet e radhës kur të çlirohet lëvizja.
Në lidhje me studnetët e mbetur jashtë, kryesisht në Turqi, ku është një grup i madh dhe po kërkon me ngulm të kthehet, ministrja Balluku u shpreh se duhet të vendosë grupi i punës nëse paketa e riatdhesimit do tu ofrohet falas, duke parë kushtet financiare ku ndodhemi dhe parashikimet pesimisite për të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.