Ngjarje

Rinis riatdhesimi, emigrantët duhet të prenotojnë avionin dhe hotelin

Duke filluar nga fundjava që vjen, Qeveria do të rinisë misionet e riatdhesimit për shqiptarët e bllokuar jashtë Shqipërisë me kushtin e detyruar që me t’u riatdhesuar ata të vetëkarantinohen në hotele me shpenzimet e tyre.

Fluturimi i parë pritet që të organizohet drejt Romës dhe Kryeministri Rama u bëri thirrje shqiptarëve që duan të rikthehen në atdhe që të përgatiten si për t’u rikthyer, ashtu edhe për të mbuluar shpenzimet e karantinimit 14-ditor në hotel.

LEXO EDHE:
Kush mund të kthehet në Shqipëri. PD: S’ka asnjë plan të Qeverisë
MEPJ: Riatdhesimet u mbyllën dje. PD: Braktisja e shqiptarëve, kriminale
“Air Albania” largoi amerikanët nga Shqipëria

“Kemi gati planin të hapjes me shumë kujdes të rrugës së riatdhesimit dhe sipas gjasave të shtunën e kësaj jave do të nisim fluturimet fillimisht nga Roma. Kush dëshiron të riatdhesohet me prenotim të avionit dhe më pas edhe të hotelit përkatës si struktura karantine”, tha Rama.

Më shumë detaje në lidhje me modalitetet e këtij misioni të dytë riatdhesimi do të jepen ditën e sotme. Qeveria është kritikuar për mbylljen e kufijeve dhe lënien jashtë të qindra-mijëra shqiptarëve, kryesisht në Itali dhe Greqi. Rama e ka mbrojtur vendimi si të vetmen rrugë për të shmangur potencialisht një infekim masiv të popullsisë.

Gjatë misionit të parë rreth 1 mijë qytetarë shqiptarë të bllokuar në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Europian i riatdhesuan përmes “Air Albania” dhe kostot e këtyre fluturimeve, Kryeministri tha se u morën përsipër nga vetë kompania.

Qeveria tha se kishte përzgjedhur me kujdes listën e personave që riatdhesoi, duke u përqëndruar tek studentët, personat që kishin udhëtuar për në vende të tjera për arsye humanitare e shëndetësore dhe shtetas të tjerë shqiptarë jorezidentë në vendet përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë