Njerez

Mes plumbave dhe koronavirusit, duke ëndërruar kthimin në shtëpi

Kur thua Kashmir, të gjithëve u shkon mendja tek ai materiali special i bërë me lëkurën e dhisë së Indisë. Në kundërshtim të plotë të spektrit social, me mijëra kilometra larg dyqaneve të rrugës “Montenapoleone” në Milano, apo “Fifth Avenue” në Nju Jork Siti, ku veshjet me këtë përbërje kushtojnë me qindra euro, ndodhet rajoni aziatik mes Indisë dhe Pakistanit.

Në këtë vend e ka selinë Real Kashmir F.C., saktësisht në qytetin Srinagar, në pjesën e administruar nga qeveria Modi. Deri pak kohë më parë luhej rregullisht futboll, edhe pse që nga 2008-a deri në 2019-ën ka pasur më shumë se 4400 viktima nga konflikti mes dy vendeve për të pasur në duart e tyre rajonin e Himalajave. Tani u shfaq edhe koronavirusi dhe kampionati është mbyllur para kohe, duke shpallur kampion Mohun Bagan të Kalkutës, që ndodhej në krye në momentin e pezullimit. Por në Srinagar kanë mbetur të bllokuar lojtarët e huaj të Real Kashmir, 4 afrikanë dhe 6 anglezë.

Zv.trajneri Xhimi Lindsei, duke folur me video-call me djalin e tij në Skoci. Gazeta Si, 13 prill 2020

Aron Katebe, mbrojtësi i Zambias, i cili jeton i mbyllur në hotel, thotë: “Stërvitem në palestër dhe luaj “Playstation”. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë diçka e tillë. Mbaj kontakt me bashkëshorten dhe të afërmit e mi, por komunikimin këtu është pak i komplikuar. Megjithatë, arrijmë të flasim në telefon. Nuk kam frikë, sepse besoj në Zot dhe e di që gjithçka do të shkojë mirë”.

Në të njëjtin hotel qëndrojnë edhe nigeriani Lovedai Okeçuku dhe Armand Bazie e Gnohere Krizo nga Bregu i Fildishtë, si dhe 6 lojtarët britanikë, duke përfshirë edhe Meson Robertson (djali i ish-lojtarit të kombëtares skoceze, David Robertson, trajneri aktual i Real Kashmir). “Shpresojmë të kthehemi në shtëpi javën e ardhshme me një fluturim nga Punjab, – thotë trajneri. – Nëna ime është e sëmurë me kancer dhe po bën kimioterapi, dua t’i qëndroj pranë. Po lutemi dhe shpresojmë se shpejt do të jemi në Aberdin, por është shumë stresuese të jemi të bllokuar këtu”.

Armand Bazie dhe Gnohere Krizo, dy lojtarët nga Bregu i Fildishtë të Real Kashmir. Gazeta Si, 13 prill 2020

Pakistani dhe India e ndajnë këtë rajon që prej 15 gushtit të 1947-ës, kur ra perandoria anglo-indiane dhe u krijuan dy shtete të pavarura. Sipas logjikës, Kashmiri duhej të ishte pjesë e Pakistanit, ashtu si rajone të tjera me mazhorancë myslimane. Por, udhëheqësi i këtij vendi, maharaxhai Hari Singh, ishte indù. Singh kërkoi të mbetej i pavarur, por përballë sulmit të pjesëtarëve të tribuve myslimane të Pakistanit, vendosi të kërkonte ndihmën ushtarake të Indisë, së cilës ia la Kashmirin me dokumentin e aneksimit të firmosur më 26 tetor 1947. Fati i këtij rajoni ka qenë në qendër të tre luftërave të ndryshme indo-pakistane në vitet 1947-48, 1965 dhe 1971.

Gushtin e kaluar ishte seria e radhës, teksa kryeministri indian, Modi, vendosi t’i hiqte Kashmirit statusin e rajonit gjysmëautonom, duke imponuar një “blackout” total komunikimi që zgjati deri në janar, duke e izoluar vendin nga bota. “Nuk po arrinim të ktheheshim në Srinagar, – rrëfen Robertson, – dhe kur e bëmë këtë gjë, për dy javë nuk kemi folur me familjarët tanë”.

Nga përleshjet mes indianëve dhe pakistanezëve. Gazeta Si, 13 prill 2020

Edhe pse Real Kashmir nuk është mes skuadrave të mëdha indiane, në sezonin e parë në elitën e futbollit të këtij vendi, 2018-19, u rendit në vend të tretë. Këtë sezon, në momentin e ndërprerjes së kampionatit, mbante vendin e 5-të në një nga ligat që përbëjnë elitën e futbollit indian. Në hotelin e lojtarëve është rezident edhe një nga pronarët e klubit, Sandeep Chattoo: “Nuk mund t’i lija vetëm, – tregon ai për “Afp”. – Të paktën mund të ndihmoj të kthehen në shtëpi anglezët. Afrikanët për fat të keq duhet të qëndrojnë më gjatë këtu, por janë të sigurt”. Të sigurt, edhe pse ndodhen në një prej zonave më të rrezikshme të planetit, ku veç koronavirusit, duhen evituar edhe plumbat që qëllojnë palët në konflikt.

Nga një ndeshje e Real Kashmir. Gazeta Si, 13 prill 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë