Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku akuzon qeverinë për mungesë transparence për ndihmën sociale dhe ndaj biznesit të vogël në këtë kohë krize. "Ndonëse u premtua disa herë se ishte gati vendimi i Këshillit të Ministrave që detajonte rregullat për përfitimin e ndihmës nga kategoritë që përfshihen në Aktin Normativ të miratuar të dielën, ende nuk është publikuar asgjë. 17 ditë pas rëndimit të krizës, pse nuk ka ende një VKM për pagesat që u lajmëruan nga Qeveria?! Pse nuk bëhet e ditur lista e plotë e përfituesve nga kjo pagesë, që qytetarët të kenë mundësi të shohin nëse janë apo jo përfitues? Kush janë bizneset e vogla që përfitojnë? Kush janë personat qe do të marrin pagesë papunësie? Kush janë personat qe do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike?", deklaroi Tabaku.
Sipas saj paketa sociale e miratuar nga qeveria është e pamjaftueshme, pasi mijëra familje në nevojë apo biznese nuk përfitojnë prej saj. Sipas saj, aktualisht llogariten rreth 65-80 mijë biznese të vogla të mbyllura, pa asnjë aktivitet si pasojë e masave të marra nga epidemia. "Rreth 35 mijë, në rastin më të mirë, nuk janë përfshirë në paketën sociale të Qeverisë. Çfarë do të ndodhë me ta? Kush kujdeset për ta? Çfarë do të bëhet me mbi 70 mijë familje që i kanë hequr nga ndihma ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë? Në këto momente, transparenca është shumë e rëndësishme për të ndalur diskriminimin, por dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetareve që sot kanë nevojë. Veprimi në kohë nga Qeveria është i domosdoshëm dhe çdo vonesë është e patolerueshme", theksoi Tabaku.
Për demokraten 300 mijë familje në nevojë për mbijetesë kanë nevojë për ndihmë, pasi mbyllja në shtëpi i ka hequr edhe mundësinë minimale për të ushqyer me bukë fëmijët.
"Ky është detyrim i saj ligjor dhe jo çështje e dëshirave apo vullnetit të Edi Ramës. Paratë e taksapaguesve duhen vënë menjëherë në shërbim të qytetarëve dhe duhet anuluar çdo transaksion tjetër deri në kalimin e kësaj situate", theksoi Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.