Kryeministri Edi Rama mblodhi online ministrat pjesë e komisionit të menaxhimit të emergjencës së shkaktuar nga koronavirusi. Që në fillim të fjalës, kreu i Qeverisë foli për dy probleme që duhen aadresuar me urgjencë.
“Pensionistët duhet të kthehen në shtëpi. Kemi folur dhe me ministren e Mbrojtjes dhe atë të Shëndetësisë për të targetuar shërbimet për pensionistët. Për pensionistët kryefamiljarë u duhet shërbyer nga ne. Të tjerët duhen ndihmuar nga fëmijët. Policia duhet të kthejë mbrapsht çdo të moshuar në shtëpi. S’ka obobo, u më pe! Pensionistët duhen kthyer nga rruga. Makinat e policisë që bëjnë mbikëqyrjen, s’duhet të vazhdojnë rrugën kur shohin një pensionist, por t’i thonë; ‘xhaxhi në shtëpi”, deklaroi ai.
Problematika e dytë, që Rama lidhet me ecjet në rrugë, ku kërkoi ndalimin e ecjes bashkë, edhe nëse janë dy persona familjarë.
“Është e ndaluar, është e rrezikshme. Duhet të ecin tek e tek. Mund të jeni burrë e grua! Por po vazhdoi kështu, do martohen të gjithë bashkë, edhe burri me burrin. Po ecet bashkë, gjobiteni! Atyre këmbësorëve që kapen duke ecur në rrugë pas orarit, do të gjobiten dhe përveç kësaj do i bllokohet makina. Pensionistëve u kemi thënë se nuk do të dilni nga shtëpia, nuk do i lëmë që të dalin nga shtëpia”, u shpreh Rama.
Pavarësisht sisutatës së re financiare të krijuar nga emergjenca e koronavirusit, Rama tha se në prill do të bëhet indeksimi i pensioneve. Për këtë, Kryeministri u shpreh se ndodhet fondin prej 20 mln eurosh.
Në këtë mbledhje online u tha gjithashtu se për punonjësit e kopshteve private, që përfshihen tek bizneset e vogla, punonjësit do të përfshihen në paketën e ndihmës së qeverisë për të marrë pagën e tyre. Sipas ministrit Ahmetaj ata përfshihen automatikisht në paketë për të marrë pagën e tyre për aq kohë sa qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit.
Rama përjashtoi mundësinë që të falen, apo të shtyhen pagesat e taksave dhe detyrimeve të tjera.
“Taksat dhe sigurimet do të paguhen, sepse ndryshe nuk shkojmë dot përpara në këtë luftë, se përfundojmë në një gropë ku edhe korona nuk na gjen dot nëse do të na kërkojë. Pagesat e dritave do të bëhen një për një, kush nuk i paguan nuk do të ketë drita. Nuk është deti kos, pasi krijon efekt zinxhir negativ, mund të përfundojmë në kolaps. Kemi falur kamatëvonesat komplet, tani të gjithë janë vetëm në raport me aktualitetin. Kush thotë se nuk kam mundësi, të kursejë dritat, nuk ka rrugë tjetër”, vijoi ai.
Kryeministri kërkoi nga ministrja Ogerta Manastirliu që skema e dërgimit të pensionit në shtëpi të funksionojë me patjetër, ndërsa nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kërkoi që ushtria të jetë më e pranishme në kontrolle gjatë ditës.
“Kohës së lejimit të qarkullimit ata duhet të jenë në terren. Shikojnë dy kalimtarë bashkë të bëjnë atë që bën policia, të ndalojnë dhe të thërrasin policinë dhe policia t'u vendosë gjobën. Nëse shikojnë një pensionist ti thonë, ndal dhe mbrapsht", tha Rama.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se Shqipëria teston mjaftueshëm dhe shpjegoi se përse testimi masiv nuk është efikas, sipas saj.
“Kemi bërë testime aq nevojë sa kemi pasur. Epidemiologët në të gjithë vendin po bashkëpunojnë me urgjencat rajonale dhe ato të ardhura në numrin 127për të identifikuar rastet e prekura. Nëse do të testojmë të gjithë popullatën, do të duhet ta ritestojmë atë periodikisht dhe kjo nuk është vetëm një çështje buxheti, por nuk e përjashtojmë dot riskun e tyre me testin, pasi ata mund të infektohen në një moment të dytë”, u shpreh ministrja.
Manastirliu tha se kurba e të infektuarve do të vazhdojë që të rritet dhe tha se një vlerësim për efektin e masave të marra mund të bëhet më i saktë javën e ardhshme.
“Kurba do të fillojë të rritet dhe masat e ndërmarra do të vlerëson ndoshta jo këtë javë por në fillim të javës tjetër rreth datës 30 mars. Gjatë kësaj kohe do të rishikohen të gjitha modelet dhe probabilitet e ekspertëve për të mbajtur sa më poshtë kurbën. Testimet ne i kemi shoqëruar me masa të menjëhershme të vetizolimit, ndërsa vendet e tjera kanë kryer testime në masë dhe më pas kanë marrë masat. Efekti i masave nuk do të shihet ndoshta këtë javë por javës tjetër besoj se po, duhet t'i japim frymë sistemit tonë shëndetësor”, deklaroi ajo.
Ministrja njoftoi gjithashtu se ka nisur shpërndarja e të gjithë elementëve dhe paketave të mbrojtjes së mjekëve që mbërritën nga furnizimi i ri që u mor nga Turqia. “Ne sot kemi shpërndarë 80 mijë elementë të seteve mbrojtëse. Në vijim presim 167 mijë maska, veshje dhe dorëza. 30 mijë syze dhe ekrane mbrojtëse dhe dezinfektantë për të krijuar atë armën e duhur për barrierat mbrojtëse për personelin. Do të vijojmë me këtë kanal komunikimi për të mbështetur mjekët dhe infermierët”, u shpreh Manastirliu.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj foli për shifra inkurajuese të shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë.
“Deri mbrëmë në darkë janë ndihmuar mbi 40 mijë familje me paketa ushqimore, shpërndarje e medikamenteve, apo shërbime të tjera për të moshuarit që ua çojnë në banesat e tyre dhe i inkurajojmë të mos dalin nga shtëpitë. Në rang kombëtar janë ndihmuar mbi 26 mijë paketa ushqimore dhe mbi 5 mijë medikamente dhe 55 mijë shërbime të tjera sociale”, deklaroi Lleshaj.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, që drejton edhe grupin ndërministror të punës për emergjencën e koronavirusit njoftoi se i është kërkuar Bashkisë së Durrësit që të rishikojë listat e personave që duhet të përfitojnë bonusin e qirasë si pasojë e tërmetit të vitit të kaluar. Ai e cilësoi këtë një problematike proceduriale, ndërsa “këshilloi” qiramarrësit që të mos ua hapin derën qiradhënësve.
Ahmetaj njoftoi gjithashtu se edhe tenderi për rindërtimin e Tiranës pas pasojave të tërmetit ka dështuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.