Ushtria e dhe Emergjencat Civile po angazhohen në ndarjen e materialeve bazë ushqimore për familjet në nevojë dhe pensonistët për periudhën e shpallur të vetiziolimit. Pakot që po përgatiten te Rezervat e Shtetit dhe që do t’u shpërndahen pensionistëve kryefamiljarë dhe familjeve në nevojë përmbajnë kryesisht produkte ushqimore bazë dhe detergjentë. Shpërndarja e këtyre pakove do bëhet nga Komanda Mbështetëse në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe pushtetin lokal.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ishte te Rezervat e Shtetit ku pa nga afër punën që po bëhet për përgatitjen e pakove që do t’u shpërndahen kësaj shtrese sociale. E shoqëruar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade, Ndriçim Sallaku, ministrja Xhaçka u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim, duke i siguruar ata se do kenë mbështetjen maksimale të strukturave shtetërore.

“Dua t’u them të gjithëve se jemi të gjithë bashkë në këtë luftë! I mirëkuptojmë maksimalisht hallet, stresin, pasigurinë për gjërat bazike, por ju lutemi të gjitheve te kene besim dhe te bejne durim! Që në momentin e parë të përshkallëzimit të masave jemi angazhuar bashkë me Rezervat e Shtetit, Emergjencat Civile, bashkitë dhe po përgatisim mbështetjen e atyre që janë më në nevojë. Fokusi ynë janë pensionistët kryefamiljarë dhe familjet më të varfëra. Do t’u sherbejmë me perkushtim maksimal dhe me gjithçka kemi mundësi. Ju lutem të gjithëve të na mirëkuptojnë, sepse na duhet pak kohë. Edhe vende me të zhvilluara po përballen me vështirësi të paimagjinueshme!”, shprehet ministrja e Mbrojtjes.
Më tej ajo theksoi se “sa më shumë të vetëkufizohemi sot aq më pak plagë e humbje jete do kemi në këtë luftë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









