Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se masa e forta kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria nuk duhet të shoqërohen me kërcënime të forta, gjoba dhe shthurje gjuhe.
“Por me zgjidhje të forta, fonde shtesë dhe masa të posaçme mbështetëse”, deklaron ai.
Kreu i opozitës nuk përmend emrin e Kryeministrit Edi Rama, por dukshëm mesazhi është për të, pasi shefi i Qeverisë ka përsëritur thuajse në çdo mesazh që ka përcjellë nga Surreli ka kujtuar penalitetet e forta që zbatohen ndaj atyre që shkelin masat e ndalim-qarkullimit.
Në vend të kërcënimeve, Basha thotë se Qeveria duhet të japë shpjegime për disa pyetje që ai ngre.
“Fatkeqësisht, ditët kalojnë dhe qeveria ende nuk ka një plan masash të integruar për t’i paraprirë qëndrimit në shtëpi të qytetarëve. Çfarë përgatitjesh po bëhen për një skenar më të vështirë, nëse qëndrimi në shtëpi do të duhet të vazhdojë për një kohë më të gjatë? Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi duhet të merren masa edhe si do të garantohet furnizimi i tyre i pandërprerë me ushqime dhe ilaçe. Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi, si do t’i sigurojnë shumica e tyre të ardhurat për ushqime dhe mjete higjeno-sanitare? Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi, si do t’i paguajnë faturat qytetarët në kushte të mungesës së të ardhurave nga mosshkuarja në punë, duke qenë se pjesa më e madhe e bizneseve do jenë të mbyllura? Kur ju kërkojmë fëmijëve të rrinë në shtëpi, pse hezitohet për PAKETËN E INTERNETIT FALAS?”, thotë ai.
Basha shprehet se Qeveria po bën detyrën e mjekut dhe jo detyrën e saj. Akuzon se i mungon një plan afatgjatë që do të adresonte të gjitha shqetësimet që ka ngritur përmes pyetjeve të mësipërme dhe po ecet vetëm me masa sot për sot.
Kryetari i opozitës kërkon alokimin e fondeve direkte për këto zëra dhe për pavione shtesë që t’i paraprihet një skenari me qindra pacientë që do të kenë nevojë për shtrim.
“Këto janë detyrat e qeverisë. Ajo duhet të veprojë tu vijë në ndihmë njerëzve dhe jo të marrë përsipër rolin e Institutit të Higjienës”, vijon kreu i PD-së.
Në fund, Basha shpreh mirënjohjen për personelin mjekësor dhe të gjithë ata që janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin, si dhe punonjësit e administratës shtetërore që janë të detyruar të qëndrojnë në punë për shkak të funksionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




