Motosport

Kaos në Formula 1, prapaskenat e anulimit të garës së Melburnit

Pas shumë polemikash, edhe Formula 1 është ndalur. Kampionati nuk do të nisë. Vendimi është marrë nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) dhe organizatorët lokalë të Çmimit të Madh të Melburnit të Australi, që do të ishte edhe gara e parë. Ishte një vendim i vështirë, i marrë pas një mbledhjeje të gjatë me të gjitha skuderitë, ku disa kërkonin të garonin dhe disa të tjera jo. Edhe pilotët kanë qenë të ndarë. Disa prej tyre ishin larguar nga cirkuiti, ndërkohë që publiku është lajmëruar me vonesë.

Zyrtarizimi i anulimit të garës erdhi pas mesnate, sepse u desh kohë për të marrë vendimin. Disa pilotë, mes tyre Sebastian Vetel dhe Kimi Raikonen, ishin larguar nga Australia, që duhej të ngrinte siparin e kampionatit të Formula 1. Ata u larguan nga Melburni sapo u mësua lajmi i rrezikut për t’u infektuar nga Koronavirusi, pasi një pjesëtar i skuderisë McLaren kishte rezultuar pozitiv. Tërheqja e McLaren nga Çmimi i Madh i Australisë krijoi jo pak konfuzion, sepse disa skuderi ishin dakord që gara të anulohej, kurse disa të tjera jo, ndoshta për shkak të shpenzimeve të kryera, ose ndoshta për shkak se ishin të favorizuara në garë. Ferrari ishte ndër skuderitë e parë që nuk hezitoi të jepte miratimin për anulimin e garës, edhe pse mund të përfitonte në këtë rast.

Njoftimi zyrtar pas mbledhjes së gjatë të FIA-s, Formulës 1 dhe “Australian Gran Prix Corporation (AGPC)”, ishte ky: “Duke qenë se një pjesëtar i McLaren ka rezultuar pozitiv me Koronavirus dhe kjo skuderi vendosi të tërhiqet, FIA dhe Formula 1 u mblodhën bashkë me skuderitë kryesore. Pas shumë diskutimesh, u vendos se gara duhet të anulohet. Vendimi është marrë me mbështetjen e organizatorëve. E dimë që është një vendim zhgënjyes për miliona njerëz, të cilët donin të shihnin garën nga afër, por ata do të rimbursohen për biletat që kanë blerë. Të gjitha palët kanë marrë në konsideratë sforcot jashtëzakonisht të mëdha për të organizuar garën hapëse të kampionatit”.

Pas kësaj komunikate ka në fakt shumë problematika të natyrave të ndryshme. E para është se në mëngjes publiku ishte pas kangjëllave në pistën e Melburnit, pasi njoftimi zyrtar është bërë pak orë para nisjes së provave të lira. Po ashtu, organizatorët kishin vazhduar punën, sepse tre skuderi, Red Bull, AlphaTauri dhe Racing Point, kishin në plan të garonin. Megjithatë, tashmë gara është anuluar, ashtu siç kërkoi së fundi kampioni i botës, Ljuis Hamilton, i cili ishte totalisht kundër nisjes së kampionatit në kushte të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë