Njerez

“Pacienti A” në Kinë infektoi 13 persona në autobus pa i prekur

A përhapet koronavirusi përmes ajrit? Kjo ka qenë një ndër pikëpyetjet më të mëdha të studiuesve që nga shfaqja e virusit të ri në Kinë. Edhe pse nuk ka ende të dhëna zyrtare që sugjerojnë diçka të tillë, rasti i një burri që infektoi më shumë se 10 persona pa prekur askënd, ka hedhur dyshime të forta.

Ai ka arritur ta transmetojë virusin tek 13 persona me të cilët udhëtoi rreth katër orë në të njëjtin autobus publik pa qene në kontakt me ta. Rasti i tij është studiuar në detaje nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Kinë dhe ka sjellë të dhëna dramatike për forcën e koronavirusit dhe rrezikshmërinë e përhapjes së tij.

Personi, i njohur si “pacienti A” në studim, u diagnostikua me Covid-19 më 22 janar. Disa ditë më parë ai kishte udhëtuar me autobus, ndërkohë që kishte simptoma gripale.

Kamerat e sigurisë të autobusit treguan se “pacienti A” nuk preku asnjë njeri dhe nuk ndërveproi me askënd në autobus.

Ai ishte i ulur në rreshtin e fundit të autobusit me një pasagjer tjetër në krah. Filmimet i ndihmuan hulumtuesit të identifikonin rrugën dhe distancën e përhapjes së mikrobit prej tij tek të tjerët.

Në fund të udhëtimit katër orësh, virusi ishte përhapur tek 7 pasagjerë të tjerë që kishin udhëtuar gjatë gjithë kohës më pacientin A, nga personi që ishte ulur afër me të deri tek dy që ndodheshin 6 rreshta sediljesh para tij.

Por të infektuar kanë mbetur edhe pasagjerë që kanë hipur më pas në të njejtin autobus. Nga një grup pasagjerësh që hipën në autobus 30 minuta pasi kishte zbritur “pacienti A”, u infektua një pasagjer i cili u ul në fillim të autobusit dhe nga ana tjetër nga ku ishte ulur “pacienti A”.

Të gjithë të infektuarit mund të kenë thithur piklat e lëshuara në ajër nga fryma e nxjerrë e “pacientit A” ose e ndonjë pasagjeri tjetër në autobus të porsa infektuar nga “pacienti A”.
Të nesërmen, “pacienti A” udhëtoi me një tjetër autobus për rreth një orë dhe infektoi dy pasagjerë të tjerë të cilët ishin ulur 4,5 metra larg tij. Hulumtuesit zbuluan se pacienti A infektoi të paktën edhe tre persona të tjerë, duke e çuar në 13 numrin e njerëzve që e morën virusin prej tij.

Studimi zbuloi se në autobus mikrobet kanë udhëtuar të paktën për 4,5 metra, thuajse katër herë më shumë se sa distanca që ishte menduar se ishte e sigurt prej 1-1,5 metrash.
Hulumtuesit zbuluan gjithashtu se viruset qëndruan në ajër për të paktën 30 minuta. Deri tani mendohej se mikrobet qëndrojnë në ajër për pak minuta dhe pastaj bien në tokë.

Asnjë nga personat që ka pasur maskë në autobus nuk është infektuar, gjë që tregon se maskat mbrojtëse janë mjet efikas kur përdor transportin publik. Virusi mund të qëndroje në sipërfaqe të objekteve për ditë të tëra, virusi i gjet në dorezën e derës, mbajtëset e autobusit dhe krahët e karriges pas disa ditësh.

Kërkuesit shpjeguan se hapësira e mbyllur e autobusit dhe rrymat e nxehta të ajrit të krijuara nga kondicioneri krijojnë mjedisin perfekt për përhapjen e koronavirusit. Ajri i nxehtë mund të transportojë mikrobin në një distancë më të madhe se sa 1,5 metra. /xinhua.net


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë