Lajme

Asnjë rast me Covid19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar edhe këtë të diel se nuk ka ende asnjë rast të infektuar me koronavirusin Covid-19 në vendin tonë. Në njoftimin e përditshëm të task-forcës Covid-19, është përcaktuar se janë testuar në total 59 raste të dyshuara me virusin, për shkak se kanë pasur shenja te infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka nisur shpërthimi i koronavirusit të ri.
Të dhënat nga Ministria tregojnë se rastet e testuar i përkasin kryesisht qytetit të Tiranës, Shkodrës, Durrës, Fierit, Lezhës dhe Vlorës. Ndër të tjera bëhet me dije se ISHP ka kapacitetet laboratorike për të kryer diagnozën e plotë të COVID-19. Gjithashtu, konfirmohet se në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë hyrë 23.035 udhëtarë në të gjitha pikat kufitare dhe ka pasur 1391 thirrje, nga të cilat 29 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar në orët e pasdites se në këtë dikaster ka diskutuar me ekspertët e Komitetit Teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe. “Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga eskpertët. Deri në këto momente, nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në vendin tonë”, është shprehur Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë