Njerez

Venezuela po shpopullohet, Maduro: Gra, lindni nga 6 fëmijë!

Venezuela është një prej vendeve me rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, po konflikti i stërzgjatur politik, trazirat sociale dhe sanksionet amerikane e kanë rrëzuar ekonominë e vendit amerikano-latin, që tashmë po vuan edhe fenomenin e shpopullimit dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Vetëm në vitin e fundit janë të paktën 3 milionë venezuelianë që kanë braktisur vendin e goditur thellë nga inflacioni galopant dhe protestat e vazhdueshme të opozitës. Për të zëvvendësuar banorët e larguar, presidenti vendas, Nikolas Maduro nuk i është adresuar emigracionit, por grave vendase.

Në një deklaratë televizive ku promovoi nismën e fundit të qeverisë së tij në sistemin shëndetësor që sipas regjimit favorizon gratë, Maduro kërkoi prej secilës prej tyre që të lindnin të paktën gjashtë fëmijë.

“Lindni, lindni fëmijë për të mirën e këtij vendi”, tha Maduro.

Por gjërat nuk janë kaq thjeshtë sa ç’e përshkruan presidenti vendas. Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit Venezuelën në listën e vendeve me përqindjen më të lartë të fëmijëve të kequshqyer dhe keqedukuar. Sipas OBSH-së 13 për qind e fëmijëve venezueliane kanë vuajtur të paktën një herë për ushqimet dhe medikamentet bazike.

Mbështetësit e opozitarit Guaido iu përgjigjën menjëherë përmes rrjeteve sociale.

“Spitalet nuk funksionojnë, vaksinat janë të skaduara, gratë nuk mund të ngopin me qumësht gjiri bebet e tyre sepse janë të kequshqyera, nuk mund të blejnë as qumësht formulë sepse nuk e përballojnë dot çmimin dhe vendi po boshatiset për shkak të krizës humanitare. Maduro dhe të gjithë anëtarët e regjimit të tij që mendojnë të kundërtën kanë probleme mendore”, shkroi Manuela Bolivar, anëtare e Asamblesë Kombëtare, që kontrollohet nga opozita.

Sipas një studimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një në tre venezuelianë e kanë të vështirë që të sigurojnë ushqimin e përditshëm në tryezë. Në 2018, organizatat bamirëse thanë se numri i të porsalindurve të braktisur në maternitete dhe në hyrjet e godinave publike u rrit me 70 për qind. Si shkak renditen varfërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë