Shendet

Shqipëria e paprekur nga koronavirusi. OBSH: Pse s’ka rast? Po e mësojmë

Nuk ka raste të prekura me koronavirus në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të Task-Forcës për masat kundër koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi edhe një herë që nuk kemi raste të koronavirusit të ri në vendin tonë.
“Mbështes punën e strukturave tona në terren, sidomos në pikat kufitare, ku po bëhet një punë intensive, ku po kontrollohet çdo udhëtar. Mbështes edhe punën e Urgjencës Kombëtare që po bën një punë të lavdërueshme, qysh nga telefonata deri te marrja e testimeve në banesa. Puna jonë do të vijojë duke siguruar gjithë stokun e nevojshëm. E gjithë bota po përballet me një mungesë stoku, pasi ka pasur një përparim shumë të shpejtë të sëmundjes në të gjithë botën”, ka deklaruar Ministria.
Edhe tre rastet e dyshuara dje me koronavirus në Vlorë kanë rezultuar negative, duke e çuar kështu në 42 numrin e testimeve për rastet e dyshuara. Lajmi u konfirmua më herët nga Kujtim Llapi drejtor i shërbimit shëndetësor parësor për Qarkun e Vlorës.
Ndër të tjera Manastirliu tha se pas urdhrit për përforcimin e higjienës në shkolla, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kërkuar edhe nga bashkitë dhe Shërbimi i Aviacionit Civil të rrisin edhe më shumë masat higjieno-sanitare.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Raul Gonzales i cili ka vlerësuar transparencën e qeverisë shqiptare. Për sa i përket pyetjes se pse nuk ka raste në Shqipëri, ai tha se duhet të besojmë institucionet dhe të shmangim dezinformimin që është i dëmshëm për ekonominë dhe shoqërinë.
“Sigurisht ka shumë për të bërë. Sapo jam kthyer nga Spanja dhe ne kemi raste të personave të infektuar me Covid-19. Pse ndodh që në Shqipëri nuk ka?". Ne jemi ende duke e mësuar. Kjo është diçka e re për ne. Personat që u zbuluan në Spanjë nuk kishin pasur fare kontakt me vendet ku incidenca është më e shpeshtë,” u shpreh ai
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj u shpreh se deri më tani janë skeduar rreth 694 persona për skedën korona, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë rast pozitiv fatmirësisht.
Ndërsa Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv në QSUT, u shpreh në raportimin e Task-Forcës se në spitalin që ajo drejton, nuk ka asnjë rast të rëndë qoftë me grip, qoftë për rastet e dyshuar për Covid-19. Gjithashtu, ajo theksoi përsëri se ekipi mjekësor është në gatishmëri dhe janë marrë të gjitha masat për të përballuar të gjithë skenarët e mundshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë