Shendet

Koronavirusi është përhapur kudo

Qeveritë në të gjithë botën po përpiqen të marrin masa për të frenuar përhapjen e koronavirusit që ka marrë mijëra jetë deri tani. Europa po përballet me një shtim të numrit të të prekurve. Në Greqi është konfirmuar një rast të ri të prekur me koronavirus, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të personave të infektuar në 8. Rasti i ri u konfirmua në qytetin e Selanikut. Të dhënat e fundit nga Italia tregojnë se rreth 2000 persona janë testuar pozitivë, prej të cilëve 52 kanë vdekur.
Gjithashtu edhe në Gjermani janë raportuar 44 raste të reja dhe numri i të prekurve në total ka shkuar 240. Sipas Institutit Robert Koch në Gjermani, 15 shtetet federale të Gjermanisë kanë raportuar raste të virusit. Ndërkohë të dhënat e fundit nga Franca, tregojnë se numri i të prekurve ka arritur deri në 204 raste dhe ka pasur 4 vdekje deri më tani. Në Argjentinë është konfirmuar një rast me koronavirus, ndërsa në Spanjë, autoritetet kanë deklaruar vdekjen e parë.
Numri i të prekurve është rritur edhe në Australi. Janë 39 të prekur dhe personi i fundit që u konfirmua ishte një grua rreth të pesëdhjetave. Në SHBA ka arritur në 9 numri i personave që kanë vdekur nga virusi dhe sipas ekspertëve të shëndetit shpërthimi është përqendruar në një azil pleqsh, edhe pse autoritetet janë të shqetësuar që infeksioni mund të përhapet edhe në komunitete të tjera, ndërkohë që numri i të prekurve ka arritur në 100.

Në vendet e prekura nga koronavirusi është shtuar edhe Polonia. Ministri i Shëndetësisë së këtij shteti, Lukasz Szumowski ka konfirmuar rastin e par me koronavirus në perëndim të vendit, duke shtuar dhe faktin se deri në këto momente ai është mirë. Zhvillimet e reja janë shqetësuese edhe në Iran, ku 77 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 2000 janë të infektuar me virusin e ri. Ndërsa në Irak është raportuar vdekja e parë. Sipas Agjencisë zyrtare të lajmeve në Irak, personi që ka vdekur ka qenë një burrë 70 vjeç i cili jetonte në qytetin irakian Sulaimaniyah.
Rastet e personave të prekur janë shtuar edhe në Indi. Ministri i Shëndetësisë në Indi ka bërë me dije se numri i personave të prekur ka shkuar në 28. Edhe Irlanda ka konfirmuar një rast të ri me koronavirus. Pacientja është një grua në lindje të vendit dhe mediat irlandeze kanë treguar se ajo kishte udhëtuar në Itali kohët e fundit.

Përqendrimi më i lartë i personave të prekur mbetet në kontinentin e Azisë. Të dhënat e fundit nga Koreja e Jugut tregojnë se janë shtuar 516 raste të reja me koronavirus dhe numri total i të prekurve është 5.328 raste dhe 32 vdekje. Ndërsa në Kinë, shteti nga ku shpërtheu virusi i ri janë raportuar 119 raste të reja deri ditën e djeshme dhe në total ka 80.270 persona të infektuar. Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë vdekur 38 persona të tjerë, duke rritur bilancin e vdekjeve në Kinën kontinentale në 2.981 të vdekur.
Autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të virusit në të gjithë botën. Më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur në të gjitha vendet e prekura dhe virusi bëhet gjithnjë e më shumë shqetësues.
Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar ditë më parë se virusi i ri po përhapet me shpejtësi dhe në pak kohë do të përhapet në të gjithë botën, kështu që çdo qeveri duhet të jetë e përgatitur për të përballuar Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë