Politike

Pakti sekret me NATO-n për ndalimin e FSK në veri, Kurti kërkon shkarkimin e Thaçit

Nënshkrimi i një marrëveshjeje të fshehtë me NATO-n për ndalimin e ushtrisë së Kosovës në Veri të vendit, mund të çoje në shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2013, është bërë publike sot nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka akuzuar presidentin për shkelje të rëndë të kushtetutës.

Kreu i qeverisë ka njoftuar sot përmes një shkrese zyrtare se e ka informuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, lidhur me një marrëveshje sekrete në mes Thaçit dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ky pakt i fshehtë i ndalonte FSK-së hyrjen në Veri të Kosovës. Kryeministri Kurti thotë se kjo marrëveshje përbën bazë për nisjen e procedurave të shkarkimit.

Duke folur në një konferencë për mediat, Kurti ka hedhur akuza të rënda ndaj Thacit, duke deklaruar se ai kishte fshehur marrëveshjen dhe se organet e drejtësisë të merren me të.

“Dje pasdite ia kam nisur një letër zonjës Vjosa Osmani, presidentit të vendit dhe kryeprokurorit, lidhur me një marrëveshje sekrete të nënshkruar në vitin 2013. Atë ditë nuk ishte një marrëveshje në Bruksel por ishin dy, njëra nga Thaçi dhe Daçic dhe tjetra që ishte zotim i njëanshëm i Thaçit”, theskoi kryeministri.

Sipas tij kjo marrëveshje është kërkuar nga Serbia. “Për ne është shumë e rëndësishme që të marrim vesh se kush e ka kërkuar një marrëveshje të tillë, nuk besojmë që e ka kërkuar Brukseli, mund ta ketë kërkuar Serbia”, tha Kurti.

Presidenti Thaci dhe Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Kryeministri i Kosovës duket se shfrytëzoi zbulimin e kësaj marrëveshjeje edhe për t’i bërë të qartë presidentit se personi që do të udhëhiqte dialogun Kosovë-Serbi do të ishte ai.

“Dialogun me Serbinë do ta përgatisim ne dhe do ta udhëheq unë si kryeministër”, deklaroi Kurti. “Para se të shkoja në Konferencën e Mynihut jam përpjekur ta takoj Thaçin, edhe më tej jam interesuar që të takohem me të në mënyrë që të mos jemi kakofoni zërash në politikën e jashtme”, shtoi ai.

“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, i dha KFOR-it të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, pa afat”, deklaron ai.

Kurti informon Osmanin se pas pranimit zyrtar të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese.

Sipas tij, ajo shkel nenin 20 për Sovranitetin dhe nenin 18 për Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani . Gazeta Si, shkurt 2020

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete”, shkruan Kurti, duke theksuar se nuk do të vërë në rrezik marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n.

“Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë se unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim pro ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, shkruan kreu i Vetëvendosjes.

Sipas tij, vendimi i Thaçit për t’i dhënë KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, është i mjaftueshëm për shkarkimin e tij.

“Duke marrë parasysh provat në dispozicion te Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka kryer shkelje te rënda te Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thekson Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë