Analize

Kush e “vrau” Kadarenë?

Për pak minuta mesditën e të mërkurës, rreth një orë, për shumë njerëz shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare kishte ndërruar jetë. Për pak minuta lajmi i kobshëm rrezikoi të kthehej viral, edhe pse në ato çaste Ismail Kadare gëzonte shëndet të mirë dhe të plotë në Paris.
Çfarë kishte ndodhur ndërkohë?
Në ditën e parë të punës, përmes llogarisë së saj në Twitter, ministrja e re e Kulturës e Republikës së Kosovës Vlora Dobusha do të habiste dhe trondiste shumë vetë me disa postime të njëpasnjëshme për ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar. Madje, në një moment, një prej postimeve përfshinte edhe ministren shqiptare të Kulturës, Elva Margariti, e cila sipas postimit kishte konfirmuar vdekjen e Kadaresë.

Fati e deshi që lajmi të mbetej vetëm në postimin e ministres kosovare dhe të mos merrej nga portalet kosovare dhe më pas nga ato shqiptare me shpejtësinë e dritës, siç ndodh rëndom në kësi rastesh. Jemi dëshmitarë thuajse çdo ditë se si lajmi i rremë përhapet aq shpejt, sa edhe e vërteta duket sikur nuk ka më rëndësi përballë tij.
Misteri i këtij fake news nuk do të zgjaste më shumë se një orë. Përmes një njoftimi të fundit, në llogarinë e ministres shfaqej një postim ku thuhej se ajo ishte hakuar nga gazetari italian Tomazo De Benedeti.
Cili është De Benedeti dhe përse kishte hakuar llogarinë në Twitter të një ministreje kosovare, aq më tepër, të re, të panjohur dhe përse kishte zgjedhur pikërisht Kadarenë si viktimë të postimeve të tij të rreme?

Tomazo Di Benedeti

Tomazo Di Benedeti është një gazetar italian, po ashtu edhe profesor universiteti në Romë që dekadën e fundit ia ka kushtuar lajmeve të rreme. Ai ka krijuar shumë llogari të rreme në Twitter dhe përpos tyre ka postuar lajme të rreme, më i famshi prej të cilave ka qenë postimi mbi vdekjen e Presidentit sirian Assad në vitin 2012, postim që u bë lajm global në mediat ndërkombëtare, duke mashtruar deri gazetat më të mëdha si New York Times, The Guardian apo USA Today. Në një intervistë dhënë vite më parë, pasi kishte lajmëruar vdekjen e Papës, atë të Fidel Kastros, dhe pasi kishte luajtur edhe rolin e Presidentit afgan Hamid Karzai në Twitter përmes llogarive false, De Benedeti deklaronte se e bënte këtë për t’u treguar të gjithëve se sa e pabesueshme është media sociale si burim informacioni. “Por mediat e lajmeve e besojnë këtë për shkak të presionit që kanë për të dhënë sa më shpejt lajmin”, thotë ai.
Dhe kjo është edhe në Shqipëri tani çështje e ditës. Sa e besueshme është media dhe sa të besueshme janë rrjetet sociale si burim për median në Shqipëri? Eksperimenti i De Benedetit me ministren kosovare shpëtoi të nxirrte në pah problemin në Kosovë, kjo ndoshta edhe për faktin se llogaria e rreme e zonjës Dobusha është e re, e krijuar dy javë më parë dhe numri i ndjekësve i kufizuar. Në momentin e postimit të parë llogaria e rreme kishte rreth 220 të tillë, por një orë më pas ajo kishte shtuar 370 të tillë dhe vazhdonte të rritej, edhe pse vetë zonja Dobusha nuk ka një llogari të vërtetë më Twitter.
Por çfarë do të ndodhte në Shqipëri nëse De Benedeti do të kishte krijuar apo hakuar një llogari deputeti apo ministri shqiptar? Sa të vëmendshme do të kishin qenë mediat dhe gazetarët ndaj lajmit të rremë? Në mungesë të provës mundet vetëm të hamendësojmë, edhe pse raste të tilla më të vogla dhe me më pak zarar, kemi ndeshur plot vitet e fundit. Në Itali, thotë De Benedeti, shtypi nuk verifikon asgjë, prandaj shpeshherë ka rënë pre e postimeve të rreme të De Benedetit. Në Shqipëri situata është e njëjtë, ndoshta edhe më rëndë, sepse janë vetë politikanët që e kanë mësuar median që t’u referohet postimeve të tyre në Twitter edhe për vendimet më të rëndësishme. Nëse këtë postim që bëri sot, De Benedeti do ta kishte bërë me llogarinë e rreme të ministres shqiptare të Kulturës në Twitter, ku postimet e politikanëve merren rëndom copy/paste si lajme, kush do të detyrohej t’i kërkonte ndjesë Ismail Kadaresë? Ministrja, llogaria e të cilës ishte falsifikuar apo gazetarët? Apo të dy bashkë?
De Benedeti jo, sepse kurrë nuk e ka bërë këtë dhe për një arsye tjetër, pasi ai e ka fituar një gjyq për lajme të rreme me media edhe më serioze dhe më të mëdha se ato shqiptaret. “Twitter është perfekt për lajmërime vdekjesh”, thotë jo pa ironi De Benedeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë