Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE .
‘’Gjatë takimit me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, Z. Anders Knape, Sekretarin e Përgjithshëm Andreas Kiefer, Presidenten e Dhomës së Rajoneve znj. Ms Gunn Marit HELGESEN, Presidentin e Dhomës së Autoriteteve lokale z. Xavier CADORET, dhe delegacionin që i shoqëronte, ju shpreha mirënjohjen për vëmendjen që ky institucion ka treguar përherë ndaj vendit tonë’’, njoftoi Basha përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kryedemokrati deklaron se i konfirmoi delegacionit qëndrimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar se rruga për daljen nga kriza kalon nga vota e lirë e shqiptarëve dhe se vendi e ka jetike ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë.

‘’Shqipëria e cila ndodhet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, ku korrupsioni e krimi i lidhur me politikën po gërryen themelet e shoqërisë dhe shqiptarët po largohen çdo ditë, e ka jetike ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë. Rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standardeve demokratike evropiane, forcimi i rolit të qytetarëve që nis me garantimin e votës, duke ju dhënë mundësi atyre, që të lirë nga diktati i krimit dhe paratë e korrupsionit, të vendosin për qeverinë e tyre vendore dhe qendrore sa më shpejt.’’ deklaron më tej Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




