Lajme

Lamtumira, aktori Fadil Hasa përcillet drejt banesës së fundit

Kurora me lule dhe trishtim, në vend të të qeshurave dhe duartrokitjeve ishin ato që i dhanë sot aktorit të humorit familjarët, miqtë, kolegët, qytetarët e thjeshtë  dhe disa politikanë, të pranishëm në homazhet e mbajtura në teatrin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, përpara se “Artisti i  Merituar” të përcillej drejt banesës së fundit.

Aktorë e regjisorë, të cilët e njohën Hasën në skenë e kanë quajtur ndarjen nga jeta të aktorit 78 –vjeçar, një humbje për artin shqiptar. Kështu do të shprehej aktori Zef Deda e po ashtu edhe Luftar Paja, duke u shprehur “ Bashkë me Fadilin iku një pjesë e jona. Por artisti nuk shuhet kurrë.”

Regjisori Haxhi Rama ka thënë se për humbje si kjo, fjalët nuk  mjaftojnë për të përcjellë dhimbjen. “ “Buzëqeshja është sot në zi.” – tha  regjisori.Nuk kanë munguar kolegët e tij të skenës së estradës së Durrësit, si Muharrem Hoxha, Aishe Stari e të tjerë, po ashtu ka qenë e pranishme edhe aktorja korçare Zamira Kita. Kurora me lule janë nisur edhe nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. 

Qytetarë durrsakë i japin lamtumirën Fadil Hasës

Edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka shprehur ngushëllimet për humbjen e aktorit, duke e parë jo vetëm si humbje të qytetit, por të mbarë vendit. Megjithatë do të kujtohet me veprën e tij.

Të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës ishin ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.Berisha në një postim ku ka shprehur keqardhjen për këtë humbje e ka cilësuar Fadil Hasën si një nga artistë më të talentuar e popullorë të estradës dhe filmit shqiptarë. Ish-kryeministri, dnërsa ka shprehur ngushëllimet ka thënë se aktori ishte një nga mbështetësit më të vendosur të Partisë Demokratike dhe demokracisë shqiptare, edhe në ditët më të vështira të tyre.  “I lutem Zotit që  shpirti i madh i Fadilit të gjejë  paqen e merituar!”- ka shkruar Berisha.  Edhe Komisioni i Medias ka nderuar figurën e aktorit duke e nisur mbledhjen me një minutë heshtje në nderim të tij.

Berisha e Basha në Durrës

Fadil Hasa  u nda nga jeta ditën e djeshme pas një beteje me sëmundjen që i kishte prekur mushkëritë. Ai e nisi karrierën si aktor i humori në vitet  ’60, ndërsa në fillim të viteve ’90 doli  në pension të parakohshëm. Shfaqjet e tij gjatë kësaj periudhe kanë qenë më të reduktuara. Ai nuk e fshehu kritikën  rreth teksteve që krijoheshin për skeçet humoristike gjatë tranzicionit, i bindur se teksti ishte elementi bazik që siguronte suksesin e aktorëve në skenë.  “Aktori edhe përmirësohet duke bërë prova, por një teksti të keq nuk ke çfarë i bën.” – do të thoshte ai në një prej intervistave të dhëna.

Ai do të mbetet i gjallë me materialet humoristike si “Dajrja”, “Sheqeri”, Tekniku i lavatriçes”, e po ashtu me rolet në kinematografi  në filma si  “Mao Ce Dun” (2007), “Kronikë provinciale” (2009) dhe “Zëvendësi i grave” (1987).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë