Ngjarje

Koronavirusi emergjencë globale, Manastirliu: Do të rrisim masat, nuk ka asnjë rast në Shqipëri

Pas shpalljes së koronavirusit nga OBSH emergjencë globale, është mbledhur për herë të dytë Task-Forca.

Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se do të rriten masat për kontrollin dhe gjurmimin e më pas izolimin e rasteve që vijnë në Shqipëri, në pikat kufitare.

“Plani i masave që ne po zbatojmë që përfshinë nivele të caktuar veprimesh sipas shkallë së rrezikshmërisë sepse ne jemi vend me rrezikshmëri të ulët, bazohet në atë plan masash që deri dje janë marrë në raport me kontrollin në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Do doja të informoja që pas shpalljes së emergjencës globale ne do të rrisim përforcimin aktiv të survejancës, për gjurmimet e rasteve dhe izolimin e tyre, si dhe koordinimin e institucioneve për aplikimin e këtyre masave bazuar në udhëzimet e OBSH”, u shpreh ndër të tjera Manastirliu.

Ministrja tha se në pikën e kalimit kufitar po përforcohen masat dhe kontrollet higjieno-sanitare dhe se deri më tani nuk ka asnjë rast në Shqipëri.

“ OBSH dhe të dhënat e saj kanë treguar deri në këtë moment që kufizimi mund të jetë jo efektiv, ndaj ne do të rrisim edhe këshillimin e udhëtarëve që udhëtojnë drejt Kinës. Në të gjithë pikën e kalimit kufitar po përforcohen edhe në mbështetje të vendimit të fundit të OBSH masat dhe kontrollet higjieno-sanitare. Po kryhet me imtësi vlerësimi i çdo rasti. Mjekët që janë pjesë e ISHP po koordinojnë veprimet në zbatim të udhëzimeve ndërkombëtare për të asistuar çdo rast dhe për të marrë masat e nevojshme. Deri tani nuk ka asnjë rast me këtë virus në Shqipëri”, tha ministrja.

Task-forca u mblodh edhe tri ditë më parë dhe ministrja e Shëndetësisë, tha se Shqipëria është më pak e rrezikuar se vendet e BE, pasi nuk ka linjë ajrore të drejtpërdrejtë me Kinën, e për pasojë shtetasit kinezë kalojnë disa tranzite në aeroporte të këtyre vendeve deri në mbërritjen në Shqipëri.

Ky virus ka shkaktuar deri më tani rreth 200 viktima, ndërsa numërohen mbi mijëra të prekur, kryesisht në provincën Wuhan, e izoluar tashmë ku dhe u shfaq për herë të parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë