Politike

Skadon afati, LDK-VV larg paktit, i ndan kryeparlamentari

As afati i vendosur nga Lidhja Demokratike nuk ka çuar drejt formimit të qeverisë së Kosovës. Edhe pse po garon kundër kohës, me vetëm 7 ditë në xhep për arritjen e një marrëveshjeje, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk ka pranuar të pranojë kushtet e LDK-së.
Isa Mustafa i kishte dhënë kohë deri më 26 janar (dje) kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, për t’i dorëzojë LDK-së postin e kryeparlamentarit.

Ajo ka refuzuar propozimin e VV-së që ky post të jetë më rrotacion, duke e mbajtur nga dy vite secila. Por as afati i vendosur nga LDK-ja nuk e ka bindur Kurtit të nënshkruajë “symbyllur” “marrëveshjen” që i është vënë përpara nga Isa Mustafa.

Nga Vevevendosja nuk pati asnjë reagim, por nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka dërguar një sinjal në përfundim të afatit, duke e bërë të qartë se partia e tij nuk do tërhiqej nga posti i kryeparlamentarit.

Sipas tij, një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, ndërsa VV-në udhëheqëse në qeveri.

"E kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK-së dhe vetëm përmes LDK-së. Partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë," ka deklaruar ai.

Lufti Harizi, Gazeta Si, 2020

Sipas LDK-së, kryeparlamentari tashmë i zgjedhur nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca duhet të japë dorëheqjen, për t’u zëvendësuar me një politikan nga radhët e saj. Por Kurti e ka bërë të qartë së nuk dëshiron që Konjufca të bëhet “kokë turku” për marrëveshjen mes dy partive. Kryeparlamentari është jo vetëm një nga veteranët e Vetëvendosjes, por edhe një njeri i besuar i Kurtit.

Por kreu i Vetëvendojes ka bërë një lëshim duke u ofruar LDK-së postin e kryeparlamentarit me rrotacion. Sipas propozimit të tij, Glauk Konjufca nuk do të japë dorëheqjen si Kryetar i Parlamentit, të paktën jo tani për tani. Dy vitet e para të qeverisjes kryeparlamentari i takon Vetëvendosjes dhe dy vitet e dyta Lidhjes Demokratike të Kosovës. Po ashtu VV do të mbështesë edhe emrin që LDK do të propozojë për President në janar të vitit 2021, kohë në të cilën përfundon detyrën Hashim Thaçi.

Por as ky propozim nuk e ka bindur Isa Mustafën dhe partinë e tij, duke i zhytyr negociatat në qorrsokak.

Pasi mori këtë javë mandatin për kryeministër, Kurti ka tanimë edhe vetëm 7 ditë kohë që të arrijë marrëveshje për koalicionin qeveritar dhe të sigurojë shumicën e nevojshme për formim të qeverisë. Megjithatë, duhet thënë se sinjalet e deritanishme nuk kanë qenë aspak pozitive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë