Qeveria nuk do të presë opinionin e komisionit të Venecias për paketën “Antishpifje”, por do ta jetë e vendosur për të rrëzuar dekretet e presidentit Meta. Kjo u deklarua shumë haptazi dhe e qartë nga ana e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë diskutimit të dy dekreteve në komisionin parlamentar të Medias, ku mazhoranca vendosi që t’i rrëzonte ato. “Nuk është hera e parë që Këshilli i Europës vepron në këtë mënyrë, nuk shikojmë ndonjë habi apo çudi nëse Komisioni i Venecias do të sjellë ndonjë rekomandim. Padyshim që ne mund ta rishikojmë nëse Venecia ka ndonjë sugjerim me opinionin që do të nxjerrë”, deklaroi Gjonaj para komisionit.
Mbledhja e komisionit të Medias ka qenë tejet e tensionuar dhe jo të pakta kanë qenë përplasjet mes ministres Gjonaj dhe kryekomisioneres, deputetes së opozitës, Fatjona Dhimitri. Gjonaj gjatë fjalës së saj u shpreh se ligji është kaluar në bashkëpunim me OSBE-në, duke shtuar se janë përfshirë rekomandimet. Kjo solli ndërhyrjen e kryekomisioneres Fatjona Dhimitri, e cila i cilësoi këto fjalë të ministres si gënjeshtra.
“Si mund të gënjeni kështu. Këshilli i Europës tha dje që nuk janë marrë parasysh sugjerimet tona dhe se kërkoi që rishikohet drafti”, deklaroi Dhimitri. Pas kësaj ndërhyrjeje pati një përplasje dhe reagime nga socialistët, që i kërkon kryekomisioneres që të mos ndërhyjnë kur flet ministrja dhe të respektojë rregulloren.
Sa i përket qëndrimit të ministres Gjonaj se qeveria nuk do të presë Venecian, këshilltari juridik i presidentit, Bledar Dervishaj, i kujtoi përfaqësues së qeverisë praktikën që po ndiqet për ligjin e pronave, ku qeveria nuk ka hartuar draftin pa u njohur më parë me opinionin e Venecias.
“Referuar këtyre parashikimeve të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, rezulton se Kuvendi i Shqipërisë me miratimin e ligjit nr. 91/2019, ka kapërcyer kufijtë e autorizimit kushtetues, përmes kompetencave që Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë me ligj organeve vendimmarrëse të Autoritetit të Medias Shqiptare (AMA), duke krijuar terren për cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes. Gjithashtu, në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë që prej mëse 1 viti po funksionon përmes një numri të kufizuar të deputetëve 122 nga 140, si dhe kur përbërja e tij aktuale e tij, nuk përfaqëson plotësisht vullnetin e popullit dhe ku mekanizmat e kontrollit brenda tij nuk janë funksionalë, tregon qartë se ky organ ka rënë nën kontrollin e ekzekutivit, ndërkohë që do të duhej të ishte e kundërta”, deklaroi këshilltari Dervishaj.
Socialistët nga ana e tyre refuzuan të marrin në konsideratë propozimet e presidentit, duke mos pranuar që edhe ta rishqyrtojnë duke nisur diskutime me grupet e interesit. Ndërkohë që opozita ka përshëndetur kthimin e ligjit nga presidentit, por edhe faktin që Këshilli i Europës i është drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë opinionin për ligjin “Antishpifje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.