Pavarësisht se është ulur në një tryezë për reformën zgjedhore, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë informacione mbi hetimin e dosjes 184 e njohur si ajo e përgjimeve për zgjedhjet e Dibrës. Me këtë lëvizje PD-ja i kërkon informacion Prokurorisë së Dibrës, e cila ka në hetim këtë dosje, pasi transferimit që i bëri Prokuroria e Krimeve të Rënda. “Në Qershor 2019, gazeta prestigjioze gjermane Bild, publikon përgjime, pjesë të kësaj dosje hetimore, ku provohej qartë, jo vetëm veprimtaria kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve vendore në Dibër, por edhe fakti se kjo veprimtari ishte e strukturuar, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që drejtohej personalisht nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe Damian Gjiknuri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë”- thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi për Prokurorinë e Dibrës.
Nëpërmjet një letre, PD shpreh bindjen se kjo dosje duhet t’i transferohet SPAK-ut, duke qenë se atje është i faktuar bashkëpunimi në një grup të strukturuar kriminal për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër të kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, shefi i komisariatit të Dibrës Robert Aga dhe disa personazhë të tjerë që u emëruan kryebashkiakë si Dionis Imeraj, Valbona Sako apo Agron Malaj.
Sipas ligjit, duke qenë në cilësinë e kallëzuesit, PD ka të drejtë të marrë çdo informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve, por në letër theksohet fakti se ky informacion mungon. Bazuar mbi të drejtën që i jep ligji, PD i ka drejtuar 3 kërkesa prokurorisë së Dibrës, e cila e mban prej 6 muajsh dosjen 184.
“Informacion në lidhje me gjendjen e procedimit penal 184/2016; Informacion nëse Prokuroria e Dibrës ka shpallur apo jo moskompetencën dhe nëse aktet i kanë kaluar SPAK; Njohjen me provat dhe aktet e administruara deri tani”, janë tre kërkesat e PD-së.
Në përgjimet e publikuara nga “Bild”, të cilat ishin marrë nga dosja hetimore e nisur figurojnë të jenë regjistruar bisedat me kryeministrit Edi Rama me drejtues rajonalë, apo të deputetë të PS-së, si dhe ministrit të Brendshëm të saj kohe, Saimir Tahiri me shefa të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.