Integrimi europian është një mision i pamundur dhe që po zgjat prej dekadash në Shqipëri. Prej më shumë se 20 vitesh në vend janë angazhuar ekspertë dhe ministra për procesin e integrimit, duke ndjekur nga afër etapat që ka pasur Shqipëria.
Por, dy politikanë nga e majta dhe djathta kanë pasur një përballje dhe më pas një bashkëpunim për sa i përket angazhimit në diplomaci, apo dhe vazhdimin të misionit të tyre si diplomatë me peshë në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë Majlinda Bregun dhe Ditmir Bushatin, që të dy rivalë politikë, por me një qëllim angazhimin në proceset integruese të Shqipërisë. E para e nisi karrierën si politikane që u angazhua në proceset e integrimit. Ndërsa Bushati fillimisht si ekspert për procesin e integrimit dhe më pas për t’u angazhuar në politikë.
Përplasjet mes Bregut dhe Bushatit dhe paqja jashtë politikës
Bushati mund të cilësohet si personi që tërë karrierën e tij ia kushtoi diplomacisë, duke iu përkushtuar çështjeve të integrimit. Përpara përfshirjes në politikë, Bushati ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përafrimit të Legjislacionit në Ministrinë e Integrimit Evropian, duke qenë njëkohësisht pjesë e ekipit negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), për të qenë më pas këshilltar i Zëvendëskryeministrit për Çështjet Evropiane, Ermelinda Meksit. Por me ardhjen në pushtet të PD-së, eksperti i njohur në çështjet e integrimit do të largohej nga puna në ministri, e këtu nisi përballja e parë me ministren demokrate të Integrimit të kohës, Majlinda Bregu.

Bushati do të angazhohej si këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese, më pas zyrën e Presidentit, Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Ai gjithashtu do të krijonte edhe drejtonte Institutin Agenda, apo si Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri. Bushati më pas do të afrohej nga kryesocialisti Edi Rama për t’u përfshirë në politikë, duke u zgjedhur më pas si deputet në qarkun e Tiranës. Si deputet i opozitës do të caktohej kryetari i komisionit parlamentar të Integrimit. Në mbledhjet e komisionit të Integrimit jo të pakta kanë qenë përplasjet mes Bushatit dhe Bregut dhe kjo në dy kohë dhe në role të ndryshme. Kur Bushati ishte kryekomisioner për Çështjet e Integrimit dhe Bregu mbante postin e ministres së Integrimit dhe kur Bregu doli në opozitë, u caktua në krye të këtij komisioni në Parlament dhe Bushati ministër i Jashtëm i qeverisë së majtë që mbulonte edhe integrimin. Por përtej përplasjeve, Bushati dhe Bregu do të kishin një të përbashkët, asnjëherë nuk do të sulmonin ndërkombëtarët, më konkretisht ambasadorët që ishin kthyer në Tiranë si një tabelë qitjeje. Madje ata do të ishin në të njëjtin linjë qëndrimi. “Diplomatët i kemi konsideruar gjithnjë si ndërmjetës për të na bërë të flasim me njëri-tjetrin. Pastaj këto filmat me diversantë dhe që na duan të keqen nuk i besoj”, do të shprehej Bregu.
Po të njëjtin linjë do të mbante në 2017-ën dhe Bushati, ku do të deklaronte se “Nuk bie dakord me nostalgjikët e filmave me diversantë. Ata kërkojnë ta portretizojnë reformën në drejtësi si cenim të sovranitetit. Kërkojnë ta portretizojnë reformën si ndërhyrje e të huajve në punët tona”.
Një betejë që do të zgjaste deri në vitin 2017, pasi Bregu do të mbeste jashtë listave të kandidatëve për deputet, ku kryedemokrati Basha qartazi do ta përjashtonte nga projekti i tij politik. Tashmë jashtë politikës, Bregu nuk do të dorëzohej dhe me eksperiencën e saj në diplomaci dhe veçanërisht në çështjen e integrimit ajo kërkoi të konkurronte për një post të rëndësishëm, nën ombrellën e BE-së, duke u bërë pjesë e garës për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal përballë ish kryeministrit dhe ministrit të jashtëm malazez, Igor Luksiç. Një kandidim që më tepër kërkonte edhe “kredencialet” e qeverisë shqiptare, e cila drejtohej nga mazhoranca e majtë. Por socialistët nuk u bënë pengesë dhe siç do të pohonte vetë Bregu kishte marrë miratimin e “rivalit” të tij, kryediplomatit Bushati dhe të kryeministrit Rama.
“Erdhi një moment nga fundi i verës 2017, ku siç ndodh me nervin tim, thashë që në një vend ku nuk të duan, nuk rrihet. Dhe duke qenë se unë nuk e kam për zakon të përlotem, atëherë vendosa të aplikoj. Kontakti i parë ka qenë në Bruksel me Komisionin Europian dhe nuk pyeta, por thashë që kam vendosur të kandidoj. Shqipëria nuk e ka pasur këtë mundësi dhe kjo është hera e parë. Pata kontakt me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Vendosa të jem e qartë, sepse mazhoranca mund të kishte një kandidat. Ditmiri tha që edhe mandatin e kaluar nuk e morëm dot sepse duhet një kandidat që ta pëlqejnë të gjithë, dhe të njihet edhe nga pala Europiane. Pra ishin të gjithë ingredientët”, do të shprehej Bregu.
Lobimi pati rezultat dhe prej afro dy vitesh Bregu mban postin e rëndësishëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, me seli në Bosnjë-Hercegovinë. Një Këshill që synon bashkëpunimin e vendeve të rajonit Ballkanik në avancimin e mëtejshëm të integrimit europian. “Jam e nderuar sot që për herë të parë më takon mua të drejtoj si e para shqiptare në një pozicion të lartë ekzekutiv, institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore! Një falënderim miqësor për Ditmirin. Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë!”, do të shprehej Bregu në rrjetet sociale pas zgjedhjes së saj në këtë post të rëndësishëm.
Urimet për këtë post nuk do të mungonin as nga ana e Bushatit që do të vlerësonte zgjedhjen e Bregut.

Pas një jetë aktive në politikë, si dhe pas një lobimi të fuqishëm për marrjen e Kryesimit të Radhës së OSBE-së, ministri Ditmir Bushati u gjend përballë një zhvillimi të papritur. Një vit pas zgjedhjeve parlamentar të 2017-ës, Rama ndërmori vendimin për ta larguar nga posti i kryediplomatit, e kjo një muaj pasi OSBE mori vendimin që Shqipëria të kishte në 2020 kryesimin e radhës. Rama do të propozonte vartësit e Bushatit, Gent Cakajn në postin e ministrit të Jashtëm, por u rrëzua nga presidenti Meta. Rama vendosi që të mbajë vetë postin e ministrit të Jashtëm, e tashmë drejton edhe Kryesinë e OSBE-së. Një post historik që Shqipëria tashmë e ka edhe falë lobimeve të fuqishme që ka ndërmarrë ish-kryediplomati Bushati. Nisur nga ky angazhim, Rama duket se është penduar nga mënjanimi i Bushatit, vija e parë betejës politike e diplomatike, duke e propozuar si të dërguar të posaçëm i OSBE-së, si pjesë e stafit të kryeministrit në Vjenë.

Një pozicion që më tepër shihet si një garanci në kryerjen e misioni diplomatik të Shqipërisë. Bushati nuk ka folur për këtë detyrë të rëndësishme ndërkombetarë që e pret gjatë këtij viti. Në arenën ndërkombëtare, Shqipëria mund të ketë arritur një përparim, pasi në disa poste që kanë ndikim në vendimmarrje të ndryshme ka përfaqësuesit e saj, kjo shihet edhe si meritë personale si në rastin e Bushatit dhe Bregut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje