Politike

Rama: Për gjyqtarët dhe prokurorët e KÇK, ky do të jetë vit i vështirë

Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kanë inauguruar ambientet e reja të repartit RENEA, në 107-vjetorin e Policisë së Shtetit.

Kryeminsitri Edi Rama e nisi fjalën e tij në ceremon me një citim të Ismail Qemalit, më 1912.

“13 janar 1913 më pak se dy muaj nga themelimi i shtetit shqiptar u formua institucioni i parë i Shqipërisë së Pavarur, Policia e Shtetit. ‘Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe të kalojë puna e policisë në duar të ndershme’. Kjo ishte porosia e Ismail Qemalit në atë kohë. Është një porosi që nuk ka datë skadence, sepse të qenurit në duar të ndershme e të stërvitura është A-ja e çdo Policie Shteti dhe e kësaj tonës”, u shpreh kryeministri Rama.

Po ashtu ai iu kthye edhe një herë të ashtuquajturës KÇK (kap ça të kapësh), duke paralajmëruar ashpër të gjithë prokurorët e gjyqtarët se ky do të jetë një vit i vështirë, për ta.

Rama theksoi se ka ardhur koha që të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre.

“Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet një përparim i madh rrënjësor në pallatin e drejtësisë. Por koha e nevojshme për të vënë në funksion të plotë institucionet e reja të drejtësisë nuk është fort e shkurtër dhe në këtë fazë tranzicioni shoqëria jonë po përballet me një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë, e rrezikshme e kriminale e përbërë nga prokurorë e gjykatës që nuk e kalojnë dot vettingun e i janë bashkuar motos KÇK duke dhënë vendime skandaloze e në cenim të sigurisë kombëtare dhe për këtë ne kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore duke e kolauduar edhe me BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar, por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre dhe paralelisht do vëmë me shpatulla pas muri çdo anëtar të KÇK që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi maksimalisht forcat RENEA, duke thënë se janë në nivelin e forcave të ngjashme të të gjitha vendeve evropiane, sa i përket përkushtimit dhe lartësisë së tyre profesionale, ndërsa shtoi se ka shlyer një borxh të madh ndaj Policisë së Shtetit, duke iu vënë në dispozicion këtë strukturë, që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre.

“Sot më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 vjet nga formimi i Policisë së Shtetit t’iu themi të gjithë djemve të përkushtuar të RENEA-s, por edhe vajzave që janë pjesë e tyre, se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke vënë në dispozicion pas 30 vitesh këtë strukturë, që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre, ndërkohë që për 30 vite rresht të gjithë ata që janë angazhuar në RENEA kanë dhënë shembuj të panumërt përkushtimi, në një lartësi profesionale dhe morale të admirueshme, që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet.

Sot, RENEA ka në dispozicion një strukturë, që është në çdo aspekt e ngjashme në çdo standard me strukturat e Forcave Policore të Elitës në vendet evropiane. RENEA u themelua me një akt të posaçëm më 12 shtator të 1991, në një moment kur diktatura e kishte marrë tatëpjetën dhe pushteti i saj kishte rrëshqitur. Detyra e parë e atij grupi ishte të përndiqte grupet e supozuara anti-regjim, ndërsa përgjatë viteve 80’ detyra e tyre ishte të parandalonte çdo mundësi revolte kundër regjimit nëpër stadiume. Sot, jemi në një botë tërësisht tjetër dhe me sfida, qëllime e mundësi tërësisht të tjera”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se “e nisa me Qemalin dhe dua ta mbyll duke thënë se policia ka nisur një proces pastrimi, ose siç do thoshte Ismail Qemali ‘qerimi nga radhët e veta të atyre që nuk janë të denjë për të’ përmes një vetting që po ecën me të gjithë kujdesin e nevojshëm e vendosmërinë e domosdoshme.

I pranishëm në ceremoni ishte dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, nga ku deklaroi se BE do vijojë mbështetjen e policisë shqiptare.

Ai u shpreh se në dy vitet e ardhshme do të japë një fond prej 19 milionë eurosh.

“RENEA është forca elitë e Policisë së Shtetit, që kryen ndërhyrje të rëndësishme. Për shumë vite, BE ka bashkëpunuar me forcat shqiptare të sigurisë për të modernizuar

Vetëm në vitet e fundit BE ka financuar 15 mln euro në mbështetje të policisë. Ne kemi punuar bashkë me forcat shqiptare për të modernizuar menaxhimin e kufirit. Në dy vitet e ardhshme BE do të japë 19 milionë euro për policinë. Arsyeja pse jemi këtu duhet parë si një gur kilometrik shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar”, u shpreh Soreca.

Duke vënë theksin dhe te lufta ndaj krimit të organizuar, ambasadori Soreca tha se “Një Shqipëri më e sigurt do të thotë një Europë më e sigurt”.

Ministri i Brendshëm gjatë fjalës së tij tha se Policia është institucioni më i besueshëm nga qytetarët në Shqipëri si dhe shtoi se për vitin 2020 prioritare do të jetë Policia Rrugore.

Lleshaj deklaroi se 2020-ta do të jetë viti i “sigurisë rrugore”.

“Qeveria shqiptare me në krye Ramën dhe në bashkëpunim me partnerët po punon në dy drejtime. Përmirësimin e një kuadri ligjor për të luftuar krimin, që Policia të ketë fuqi për të vepruar. Fuqizimi i Policisë dhe ambienteve të saj. Reparti i ri i RENEA-s është vetëm një element. Do të kemi dhe projekte të reja për Policinë. Policia rrugore do të ketë në 2020 një vëmendje të gjerë dhe do të arrihet një siguri rrugore e lartë. Ky do të jetë viti i sigurisë rrugore. Gëzuar 107- vjetorin e Policisë shqiptare”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë