Partia Demokratike akuzon Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama se po hesht përballë kërcënimit që buron nga Beogradi për dominimin e Ballkanik, që sipas opozitës po shpërfaqet këto ditë me sulmet ndaj Malit të Zi, duke rrezikuar paqen në rajon.
“Është e papranueshme heshtja e qeverisë së Tiranës lidhur me këtë situatë të rënduar në Mal të Zi. Kreu i kësaj qeverie ka zgjedhur të mbyllë gojën përballë këtij përshkallëzimi të rrezikshëm të Beogradit kundër stabilitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi. Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë, kur Shqipërisë i është lënë në dorë kryesimi i OSBE-së, organizatës që motiv të ekzistencës ka sigurinë dhe standartet demokratike te bashkëjetesës”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga PD.
Deklarata i referohet sulmit ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd, ku PD thotë se në krye të turmave autore të këtij sulmi ka raportime se ishin persona të forcave paramilitare serbe, të akuzuar e dënuar për krime gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit. Përpjekja e përsëritur për të destabilizuar Malin e Zi synon gjithashtu, të devijojë dhunshëm orientimin euroatlantik të këtij vendi. Kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë”, vijon deklarata.
Partia Demokratike e mbyll deklaratën duke u bërë thirrje organizmave ndërkombëtarë që të monitorojnë me vëmendje këtë situatë krize, të nxitur nga forca e vullnete, që sipas saj kërkojnë devijimin e Malit të Zi dhe krejt rajonit nga kursi euroatlantik.
Situata në Mal të Zi u tensionua pas miratimit të ligjit për fenë nga Parlamenti vendas. Kisha Ortodokse Serbe akuzon se ligji në fjalë ka për qëllim që ta zhveshë atë nga pronat që zotëron. Ligji kërkon që institucionet fetare të provojnë me dokumente të besueshme se janë pronare të pronave para vitit 1918, kohë kur Mbretëria e Malit të Zi u bë pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Qeveria malazeze thotë se ligji nuk shënjestron asnjë komunitet fetar, por pasojat e tij do t’i vuajë kryesisht kisha ortodokse serbe, e cila pas 1918 mori në pronësi me vendime arbitrare dhe favorizime të tjera nga Beogradi dhjetra prona shtetërore të Malit të Zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.