Futboll

Saint-Pierroise, nga Oqeani Indian në 1/32 e Kupës së Francës

Një kënd përrallor shumë larg Europës që i përket Francës së përtejdetit, atyre territoreve që kanë qenë pjesë e ish-Perandorisë koloniale franceze të pozicionuara mes Amerikës, Oqeanisë, Antarktidës dhe jo vetëm. Për ishullin La Reunion, një perlë e Oqeanit Indian, Europa është një mirazh... por futbolli po bën mrekullinë! Në qytezën e Saint-Pierre, mes detit të kristaltë dhe plazheve të mrekullueshme, është një klub i vogël, gati të shkruajë historinë.

KUPA E FRANCËS - Jeunesse Sportive Saint-Pierroise ka hyrë në histori, duke u bërë klubi i vetëm nga ata të Francës së përtejdetit që është kualifikuar në 1/32 e Kupës së Francës. Bardhezinjtë kanë fituar kampionatin 1 dhjetorin e kaluar, duke u konfirmuar skuadra me më shumë tituj në ishull (24 trofe), dhe tri ditë më vonë kanë siguruar një vend në kupë, pasi kanë mundur me penallti ES Thaon, skuadër e kategorisë së pestë të futbollit francez. Një arritje që ka krijuar habi në Francë, me shtypin vendas që ka ndjekur nga afër përgatitjet e skuadrës së vogël të Reunion. 

PAYET – Përgatitjet janë të shumta, sepse lojtarët e drejtuar nga ish-mbrojtësi Jean-Pierre Bade po bëjnë gati valixhet për një transfertë rekord: praktikisht një ditë udhëtim me fluturime ndërkontinentale të ndërprera nga ndalesa të detyruara. Jeunesse Sportive Saint-Pierroise do të shkojë në Niort, në perëndim të Francës, për të sfiduar Chamois Niortais, skuadër që luan në Ligue 2 (ndeshja do të luhet më 4 janar 2020). Duhet një mrekulli por edhe mbështetja e Dimitri Payet, që ka lindur pikërisht në Saint-Pierre në marsin e vitit 1987: Kupa e Francës ka qenë shpesh teatri i arritjeve të çmendura...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë