Dy ish-deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu denoncuar abuzimin me taksën e arsimit tek shkollat e dëmtuara nga tërmeti në kombinat. “Asnjë qindarkë e investuar nga 22 milionë euro nga taksa e arsimit. Banorët e Tiranës paguajnë çdo vit rreth 7.5 milionë euro vetëm per taksën e arsimit, por tërmeti zbuloi se kjo taksë shpërdorohet. Bashkia e Tiranës nuk e përdor atë për të përmirësuar infrastrukturën në shkolla e kopshtet, duke lënë në mëshirën e e fatit sigurinë e jetës së fëmijëve”, deklaruan përfaqësuesit e PD-së gjatë inspektimit të shkollave “Musine Kokalari” dhe “Lasgush Poradeci” në zonën e Kombinatit. Ato janë anë dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe rreth 2500 nxënës janë shpërndarë në shkolla të tjera.
“Në 3 vjet, Erion Veliaj u ka marrë banorëve të Tiranës më shumë se 23 milionë euro, por nuk ka investuar asnjë qindarkë prej tyre në të dyja shkollat, që sot janë të dëmtuara. Tërmeti zbuloi se nisma “Adopto një shkollë” ishte vetëm fasada e një propagande të shëmtuar dhe të rrezikshme, që, nëse tërmeti do të kishte rënë ditën, mund të kishte pasoja tragjike për fëmijët”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, pothuajse 20 shkolla janë shpallur të papërdorshme dhe sot janë bosh. 1200 nxënësit e kësaj shkolle janë shpërndarë nëpër shkolla të tjera të zonës. Nuk ka asnjë përgjigje se kur do të rifillojë mësimi, por, njëkohësisht, e njëjta situatë është edhe me familjet e prekura nga tërmeti.
“E vetmja zgjidhje qesharake është një bonus qiraje prej 15,000 lekë të reja, ku familje me 10, 12 persona presupozohet që të marrin në qytetin e Tiranës një banesë me një qira të tillë, që është pothuajse e pamundur. Ky vit i ri do të jetë shumë i trishtë për këta banorë, do të jetë i trishtë edhe për qytetarë që janë prekur nga tërmeti”, theksoi Tabaku.
Ndërsa Balliu nga shkolla “Musine Kokalari” në zonën e Kombinatit u shpreh se “Bashkia e Tiranës u jep ndërtuesve, që marrin përsipër të lyejnë shkollat për sy e faqe dhe propagandë, atyre ndërtuesve u japin qindra milionë euro leje ndërtimi, ndërkohë që dhjetëra miliona euro të taksave të qytetarëve shqiptarë shkojnë në xhepat e qeveritarëve dhe pushtetarëve të korruptuar.
“Ky është një akt bandidesk i cili i ka lënë fëmijët e Kombinatit pa shkollë, ka lënë fëmijët në vështirësi për t’u arsimuar dhe vështirësi të tjera. Kombinati është një nga zonat më të prekura pas tërmetit dhe është një zonë jo më larg se 2 km nga qendra e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe kur këto probleme ndodhin në shkollat që janë në kryeqytet ju vetë mund ta imagjinoni se në çfarë konditash janë shkollat e tjera jashtë Tiranës”, tha Balliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.