Politike

Kurti: Qeverinë nuk ma dikton Thaçi, por LDK

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaroi për mediat vendase se Partia LDK e Isa Mustafës refuzoi pozitën e Kryetarit të Kuvendit, të cilën e mori nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.  “Në janar kemi përpara arritjen e marrëveshjes me LDK-në”, ka thënë Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

“80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”, ka shtuar ai.

Kurti sipas Zëri.info ka thënë se s’bën të humbet më shumë kohë për të formuar Qeverinë derisa ka thënë se në bisedime me LDK-në po mbrojnë vullnetin e popullit.

 “Unë pres që pas konstituimit të Kuvendit të fokusohemi në bërjen e koalicionit qeverisës, sepse pengesat e panevojshme nuk i duam. Ne nuk do të ishim VV nëse nuk punojmë e kërkojmë ashtu siç duan qytetarët. Kohë për të humbur nuk kemi sepse s’kemi ekonomi të zhvilluar, nuk kemi shërbime të mira shëndetësore dhe pothuajse të gjithë sektorëve iu duhet ndërhyrje”, ka theksuar kandidati për postin e kryeministrit.

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/892016844529911/?t=841

Kurti ka thënë se Partia e Isa Mustafës e përcakton se kur do të formohet Qeveria e re e jo Presidenti i Republikës. Ka thënë se takimi do të ndodhë me Hashim Thaçin por data e formimit të Qeverisë do të përcaktohet pas marrëveshjes mes LDK-së e VV-së.

Kurti ka vendosur të mos ngutet të formojë e propozojë mandatarin e Qeverisë pa e bërë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka vendosur të mos shkojë më në Kuvend dhe ta zë në befasi 28 deputetët e LDK-së. Në një paraqitje publike, Kurti ka thënë se LDK ia përcakton datën e formimit të Qeverisë. E jo presidenti me ftesa për takime konsulatative. “Pra, Presidenti i Republikës përcakton datën e konsitutimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjertërkush. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës jo Presidenti i Republikës”, ka thënë ai.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi nuk mund të caktojë datën e formimit të Qeverisë pa e bërë propozimin partia fituese dhe pa u arritur marrëveshje mes dy partive. “Duhet të takohemi dhe të bisedojmë. Edhe ne duam marrëveshje edhe populli do marrëveshje. Le ta diskutojmë këtë dhe çështje tjera në takimin tonë të parë të radhës”, ka thënë ai.

Disa ditë më parë, pas dështimit të negociatave mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për formimin e qeverisë, si dhe pas konstituimit të Parlamentit të ri, presidenti Thaçi me anë të letre i kërkoi Kurtit që të takohen për të biseduar për formimin e qeverisë së re. Por Kurti i kishte kthyer përgjigje se për shkak se ishte jashtë shtetit nuk mund të takohej. Kjo duket se ishte një taktikë politike e liderit të Vetëvendosjes, i cili duket nuk po synon ta çojë krizën politike në Presidencë, ku Thaçi mund të marrë kompetencat, por të vendosë për një gjë të tillë vetëm pas janarit, duke tentuar nisjen e negociatave me LDK-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë