Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka takuar banorët e zonave të prekur në fshatrat Tarinë, Mallkuç dhe Bubq.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha kërkon nxjerrjen e menjëhershme të fondeve për strehimin e banorëve, e kjo është një përgjegjësi dhe detyrë e qeverisë dhe strukturave shtetërore.
“Gjendja e sotme e zonave të dëmtuara nga tërmeti, një muaj më pas është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës. Qytetarë, fëmijë e të moshuar që kalojnë netët e ftohta jashtë, pa ngrohje, pa ujë e me ushqime të pakta të ofruara nga vullnetarë. Kushtet e mjerueshme kanë shkaktuar probleme shendetësore tek qytetarët duke e rënduar situatën. Familjarët nuk dinë nëse banesat e tyre janë apo jo të banueshme. Në shumicën e rasteve askush nuk ka shkuar të shohë e jo më vlerësojë dëmet, në shumë raste vlerësimi është kontradiktor, një herë banesa është vlerësuar e pabanueshme e njëherë e banueshme”, shprehet kryedemokrati.
Sipas kreut të PD-së, kryefamiljarët po marrin përsipër rrezikun duke futur familjarët në shtëpi të dëmtuara pasi nuk kanë mundësi për strehim, jetojnë me ankthin dhe frikën e lëkundjes së radhës. Ata që janë në çadra të papërshtatshmë për kohën e ftohtë e me reshje i ndjejnë të ftohtin dhe lagështirën në palcë.
“Qeveria ka dështuar dhe korrupsioni i ka lidhur sytë dhe veshët që të shohë e të dëgjojë qytetarët. Nëse 150 milionë dollarët që shkojnë në xhepat e oligarkëve, do t’u viheshin në dispozicion njerëzve në nevojë, do të ishin blerë kontenierë të përshtatshëm për strehimin e banorëve, dhe do të kishte nisur procesi i rindërtimit dhe riparimit të shtëpive të dëmtuara. Paratë t’u jepeshin në dorë qytetarëve në zonat rurale për të nisur rindërtimin, duke shmangur tenderat korruptivë. Situata po përkeqësohet ditë për ditë. Koha nuk pret. Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë. Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e radhës korruptive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.