Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC) shprehet në mbështetje të Minishengenit Ballkanik duke sqaruar se lëvizja e lirë në Ballkan merr kuptim me integrimin Europian.
Ditët e fundit, ka pasur shumë paqartësi dhe mungesë informacioni të saktë për rolin e RCC-së në takimet e të ashtuquajturës iniciativa “Minishengen”, thuhet në nje reagim.
“RCC-ja është tërësisht e angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Me krenari ne bashkërendojmë dhe vëmë në zbatim Planin Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike në Ballkan, siç na është kërkuar dhe miratuar si detyrë nga të 6 udhëheqësit e Ballkanit Perendimor tre vite më parë në Samitin e Procesit të Berlinit në Trieste”- shpjegon RCC.
Këshilli citon se, të gjashta ekonomitë e rajonit, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, janë pjesë e këtij procesi në bazë të kërkesës së parashtruar nga të gjashtë udhëheqësit e sipërpërmendur, si një projekt me anën e të cilit do të çohet përpara bashkëpunimi ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor, duke eliminuar barrierat sociale me lëvizjen e të rinjve, të profesionistëve, të aftësive dhe të novacionit në rajon.
Për RCC-në bashkëpunimi rajonal është një histori gjithnjë e në zhvillim.
Bashkëpunimi rajonal, shprehet RCC merr kuptim atëherë kur objektivi përfundimtar është integrimi në BE.
Meqenëse zgjerimi ka të bëjë me lidhjen e tregjeve dhe njerëzve me njëri-tjetrin, shpjegon Këshilli, ne besojmë se çdo iniciativë që çon në heqjen e përfundimtare të barrierave brenda rajonit tonë, është tërësisht e domosdoshme dhe, si e tillë, duhet të merret patjetër në konsideratë.
“Për këtë arsye, ne jemi gjithnjë të vëmendshëm, duke i mbajtur sytë dhe veshët hapur, për çdo propozim që mund të vijë nga secila prej ekonomive të rajonit. Dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”- thotë RCC.
Këshilli Rajonal për bashkëpunim ka qenë i ftuar në takimet e organizuara për Minishengenin sëbashku me Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.