Presidenti Ilir Meta shpall listën 10 kandidatëve që kanë aplikuar për vendin vakant për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, pas shkarkimit nga procesi i Vettingut të Besnik Muçit. Presidenca në një njoftim për median bëri të ditur listën e “rivalëve” për postin vakant në Gjykatën Kushtetuese.
“Pas përfundimit të afatit të aplikimit për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, “Vakancë e parakohshme”, e krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, Besnik Muçi, procedurë kjo e rishpallur me Dekretin nr. 11364, datë 22 nëntor, të Presidentit të Republikës, rezulton se kanë aplikuar shtetasit e mëposhtëm: Altin Binaj, Artan Spahiu, Dedë Kasneci, Eugen Papandile, Gentian Mete, Sergjio Mazreku, Sinan Tafaj, Sonila Bejtja, Shaqir Hasanaj dhe Zhaklina Peto”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Sipas procedurës, lista me aplikantët e mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar do të përcillen menjëherë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim sipas ligjit. Do të jetë pikërisht KED-ja e re që do të realizojë procesin e pikëzimit. Por nga konkurrentët e listës mësohet se janë emra që kanë konkurruar edhe më parë. Kështu janë Zhaklina Peto, Dedë Kasneci, Sinan Tafaj apo dhe Shaqir Hasanaj, të cilët janë skualifikuar nga ana e KED-së më parë. Në garë është përfshirë edhe sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese. Në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi është për ripërtëritja e anëtarëve të saj, duke përfshirë edhe dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha dhe Fjona Papajorgji, ndërsa Marsida Xhaferllari është zëvendësuese. Edhe pse ka një konflikt të hapur me presidentit Meta, Ardian Dvoarni do të jetë sërish kryetari i KED-së, si i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë në detyrë. Presidenti ka akuzuar Dvorani për marrjen e kompetencave për çështjen e caktimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca e Dvorani pretendojnë se meqë kreu i shtetit nuk e zbatoi ligjin me afat 30 ditor, Arta Vorpsi është anëtare automatikisht, por kjo nuk u pranua nga Meta që dekretoi Marsida Xhaferllarin. Presidenti bëri kallëzim penal ndaj Dvoranit, duke e akuzuar në prokuroi për tejkalim dhe marrje të kompetencave.
Lista e kandidatëve
Altin Binaj
Artan Spahiu
Dedë Kasneci
Eugen Papandile
Gentian Mete
Sergjio Mazreku
Sinan Tafaj
Sonila Bejtja
Shaqir Hasanaj
Zhaklina Peto
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.