Kryetema e diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste këtë të martë, sipas Kryeministrit Edi Rama ishte organizimi i brendshëm i partisë dhe përgatitja e saj për zgjedhjet e ardhshme.
Kryeministri bëri një lojë fjalësh kur foli për këtë temë.
“Edhe pse zgjedhjet duken larg, ato janë afër, sepse qershori i vitit 2021 është shumë afër politikisht”, tha ai.
Rama mohoi se vendi ka një vakuum qeverisës dhe institucional. Ai tha se Kuvendi funksionon dhe vazhdon punën e tij si ligjvënës, ndërsa u shpreh i gatshëm për t’u ulur me opozitën jashtëparlamentare.
“Ne jemi të gatshëm që të dëgjojmë dhe të reflektojmë, por jemi të votuar dhe të dënuar të udhëheqim, nuk jemi këtu për të pritur të tjerët, apo që dikush të zgjohet nga gjumi”, tha ai.
Në lidhje me reformën zgjedhore, Rama përsëriti këmbënguljen e mazhorancës për të vijuar përpara. Ai nuk dha garanci se propozimi i opozitës parlamentare për ndryshim sistemi do të merret parasysh, por garantoi depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Do të kemi komisione zgjedhore të depolitizuara dhe pastaj të tjerat janë gjëra që kanë rëndësinë e tyre, por kjo është kryesorja. Votat do t’u besohen njerëzve që nuk kanë asnjë detyrim dhe zell në raport me partitë për të shkelur ligjin”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.