Kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat e Qeverisë që drejton në Durrës për të bërë bilancin njëvjetor të punës së tyre, por në përfundim të kësaj mbledhjeje që zgjati disa orë, kreu i mazhorancës zgjodhi të flasë më shumë për prioritetet për vitin e ardhshëm sesa për bilancet e vitit që po mbyllim.
Rama tha se Qeveria ka një plan solid për rindërtimin dhe foli sërish me afate.
“Brenda Pranverës gjithçka të jetë e nisur në planin e rindërtimit dhe brenda 6 mujorit të parë, një pjesë e madhe e atyre që janë në banesat individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Për ata që do të hyjnë në apartamente, do të qëndrojnë me qira deri kur të jenë gati për të ardhur në shtëpitë e reja”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se nga janari Qeveria do t’i rikthehet edhe prioriteteve të tjera të saj, që nga paketa që ai thotë se është kundër krimit të organizuar dhe “KÇK”-së në sistemin e drejtësisë, e deri tek pakti për universitetin. Për këtë të fundit njoftoi se do të nisin punimet në zonën e Qytetit Studenti, aty ku u shemben tre godina që u shpallën të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit.
Plani do të përfshijë edhe Akademinë e Arteve, për të cilën kreu i Qeverisë tha se në godinën ekzistuese, për të cilën tha se godina e ndërtuar nga italianët nuk do të preket.
“Do të kalojmë aktin që u pengua për shkak të gjendjes së emergjencës, kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe do të vijojmë punën me paktin për universitetin. Në pranverë do të kemi një kantier për kampusin universitar të Tiranës, që përfshin Qytetin Studenti, akademinë e re të sigurisë dhe Akademinë e Arteve. Do të rindërtojmë gjithë pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Qeveria nuk do të tërhiqet as nga disa projekte të kontestuara infrastrukturore që do të jepen sipas skemës PPP dhe as nga ligjet që thotë se do t’i japin një zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën.
“Do të hapet procedura për rrugën e re Thumanë-Kashar-Rrogozhinë. Po ashtu, po punohet dhe besoj që shpejt do të shpallet edhe procedura për Tunelin e Llogarasë dhe një sërë veprash të tjera. Procesi i legalizimeve shpejt kalojmë ligjin e ri për tokën dhe do t’i japim zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën, ku nuk ka funksionuar 7501 dhe nuk ka konflikte pronësie edhe regjistrimi i tokës bujqësore mbi bazën e 7501”, vijoi ai.
Në këtë dalje të shkurtër para gazetarëve i vetmi “defekt” që Edi Rama gjeti tek ministrat e tij ishte mosinformimi i publikut për punën që bëjnë.
“Kur sheh punën e bërë dhe kur sheh me orë të tëra shumë gjëra që janë bërë dhe janë në proces, është një punë goxha e madhe dhe një nga gjërat që do ta shohim sesi mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi. Mund të fajësojmë veten për mosgjetjen ende të mënyrave për të përçuar tek publiku për gjërat që bëhen”, deklaroi ai.
Kryeministri nuk ktheu një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse për fundvit do të ketë shpërblim për pensionistët, por mes rreshtave nënkuptimi anoi më shumë nga “Jo”.
“Ajo që ka ndodhur na ka bërë më të kujdesshëm, jo të frenuar. Ideja mbetet që të mos cenojmë prioritietet. Pensionistët nuk janë një kategori që mund ta harrojmë, por jemi të kujdesshëm, sepse duam të jemi të sigurtë 100 për qind që do ta përballojmë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë na duhet të presim edhe rezultatet e konferencës së donatorëve. Për këtë do të komunikojmë në vijim”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.