Politike

Basha paralajmëron ditë “të nxehta” politike: Vendi në krizë të gjithanëshme

Lulzim Basha ka mbledhur me dyer të mbyllura Kryesinë e Partisë Demokratike, një ditë pas miratimit në Kuvend të paketës antishpifje dhe pas dënimit me një vit burg të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji për dosjen “Babale”.

Kreu i PD-së ka bërë një panoramë të zymtë të gjendjes së përgjithshme në të cilën ndodhet sot vendi. Ai ka thënë se kriza e gjithanshme është përshkallëzuar pas dështimit të Qeverisë për të menaxhuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“Rama kërkon t’u mbyllë gojën mediave, duke i bërë presion kujtdo që hedh dritë mbi abuzimin dhe korrupsionin. Qëllimi i Edi Ramës është mbyllja e gojës së opozitës për faktin e vetëm se kemi zbuluar dhe denoncuar lidhjet e këtij pushteti me krimin, vjedhjen e fondeve, korrupsionin dhe PPP-të korruptive”, citohet Basha.

Burimet thonë për gazetën “Si” se Basha përsëriti qëndrimin e opozitës se Salianji mori një dënim politik për shkak se denoncoi përfshirjen në trafik droge të vëllait të ministrit të Brendshëm.

“Dënimi i Salianjit tregon se si po e përdor Rama drejtësinë. Tahiri, që kanabizoi Shqipërine me Ramën dënohet punë në shërbim të komunitetit, Salianji që denoncoi trafikun e drogës dënohet me burg”, tha ai.

Në këtë mbledhje, kreu i PD-së ka këmbëngulur në qëndrimin se zgjatja e gjendjes së emërgjencës nuk nga ana e Edi Ramës nuk ka lidhje me ndihmën për qytetarët.

“Por për të justifikuar mungesën e vullnetit të tij për të plotësuar kushtet e vendosura nga Bundestagu, pa të cilat Shqipëria nuk avancon dot në rrugën e integrimit”, mësohet të ketë deklaruar Basha.

Kryetari i opozitës ka paralajmëruar se ditë të nxehta politike në vazhdim dhe kërkoi nga strukturat e partisë që të zgjerojnë koalicionin me qytetarët.

“Është koha për hapje të madhe, të gjerë me çdo person që është kundër kësaj qeverie e që dëshiron të vijë dhe të kontribuojë për PD. Është koha ta bëjmë koalicionin tonë më të madh me çdo individ që është gati të përshpejtojë zgjidhjen dhe rënien e kësaj qeverie. Dita e nesërme e në vazhdim do të jetë periudha më intensive politike”, është shprehur Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë