Politike

PD, thirrje Ramës: Mos na nxi më shumë imazhin ndërkombëtar

Partia Demokratike hedh akuza mbi kryeministrin Rama lidhur me paketën antishpifje.
Nëpërmjet ish-deputetes Albana Vokshi, PD thotë se këto janë orët e fundit që Rama të mos prishë imazhin ndërkombëtar.
“Këto janë orët e fundit që Edi Rama ka një shans për të mos nxirë edhe më shumë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë si vendi ku media detyrohet me ligj të mbyllë gojë. Paketa e censurës e iniciuar personalisht nga Edi Rama është sot shqetësimi kryesor i institucioneve europiane që mbrojnë të drejtat e njeriut. Njëlloj si shoqatat shqiptare dhe ndërkombëtare të gazetarëve ata bëjnë thirrje të hiqet dorë menjëherë nga censura e fjalës së lirë, dhe shkelja e të drejtave themelore të njeriut”, shprehet Vokshi.
Vokshi tha se me anë të paketës antishpifje, Shqipëria rrezikon kryesimin e radhës së OSBE-së dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Njëlloj si shoqatat shqiptare dhe ndërkombëtare të gazetarëve ata bëjnë thirrje të hiqet dorë menjëherë nga censura e fjalës së lirë, dhe shkelja e të drejtave themelore të njeriut. Në të kundërt paralajmërojnë ata, Shqipëria rrezikon kryesimin e radhës së OSBE-së dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edi Rama është përgjegjësi kryesor pse Shqipëria prej 6 vjetësh nuk ka bërë as edhe një hap përpara me integrimin e vendit”, tha ajo.
Ish-deputetja e PD-së theksoi se paketa antishpifje ka si qëllim heshtjen e mediave online për të mos publikuar aferat korruptive të Edi Ramës dhe familjes së tij.
“Paketa e censurës ka si qëllim kryesor heshtjen e medias online për të mos publikuar aferat korruptive të Edi Ramës, të ministrave të tij, të oligarkëve që kontrollojnë çdo interes ekonomik në Shqipëri. Paketa e censurës ka për qëllim asgjësimin e shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë e demokratike, lirisë politike, shtetit të së drejtës etj”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera Vokshi tha se “media online është kalaja që Edi Rama nuk e ka pushtuar dot akoma. Kontrolli i plotë edhe mbi këtë pjesë të medias është objektivi strategjik i tij pasi ka marrë nën kontroll çdo pushtet tjetër. Partia Demokratike mbështet çdo instrument që garanton standardet europiane për lirinë e shprehjes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë