Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për paketën ligjore antishpifje, të cilën qeveria kërkon ta kalojë në parlament më 19 dhjetor.
Basha shprehet se qeveria shqiptare po kalon një ligj, i cili me fjalë të tjera do të ishte një “tërmet” ndaj lirisë dhe demokracisë në vendin tonë.
Po ashtu, ai thekson se me anë të kësaj pakete po kthehet neni 55 i komunizmit për Agjitacion dhe Propagandë.
“Në vend që sivjet të gëzonim 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe fillimit të revolucionit të kadifenjtë që shembi komunizmin në Europën Lindore, ne po përballemi me rikthimin e nenit 55 për Agjitacion dhe Propagandë të kohës së diktaturës”, shprehet ai.
Duke nënvizuar se paketa është kundërshtuar hapur nga organizata ndërkombëtare, Basha thotë se dy projektligjet e propozuara mund të konsiderohen vetëm paketë “Anti-Fjalës së Lirë” sepse i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gjyqësore, “i shndërrojnë këto dy institucione në censorë me forcë kërcënuese e sanksionuese kundër mediave të lira”.
Lulzim Basha i kërkon SHBA dhe BE që t’i bëjnë presion qeverisë për të mos ndërmarrë këtë veprim, kundër lirisë së shprehjes.
“Duke mbështetur organizatat e mediave që janë angazhuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, i bëj thirrje qeverisë që të heqë dorë nga paketa ligjore despotike që ka përgatitur.
I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të tjera mike demokratike, që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes.
Po ashtu kërkoj ndihmën e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të kërkojnë prej qeverisë shqiptare t’ju përmbahet angazhimeve të ndërmarra për lirinë e shprehjes në kuadër të konventave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë”, shprehet kryedemokrati Lulzim Basha.
Ndër të tjera, Basha thotë se “ajo që është më e rëndësishmja, ju ftoj ju të dashur bashkëytetarë pa dallim, që pa lënë anash solidaritetin tonë ndaj viktimave të fatkeqësisë natyrore dhe njerëzore të tërmeteve, të mobilizohemi për të penguar me të gjitha forcat këtë atentat kundër lirisë së fjalës në vendin tonë. Kjo qeveri nuk do mund të na e mbyllë gojën!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje