Shqipëria është renditur në vendin e 71-të nga 126 vende në raportin ndërkombëtar për sundimin e ligjit, për vitin 2019. Indeksi i Sundimit të Ligjit 2019 (WJP) është raporti i fundit në një seri vjetore, mbi perceptimet e publikut të gjerë dhe ekspertëve në mbarë botën.
Raporti është nxjerrë në bazë të 120,000 anketimeve familjare dhe 3.800 sondazhe ekspertësh në 126 vende.
Raporti paraqet një portret të shtetit të së drejtës në 126 vende duke siguruar rezultate dhe renditje në bazë të këtyre faktorëve: kufizimet në fuqitë qeveritare, mungesa e korrupsionit, qeveria e hapur, të drejtat themelore, rendi dhe siguria, drejtësia civile dhe drejtësia penale.
Në krahasim me vitin 2018, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim, duke treguar që në 12 muajt e fundit nuk ka ndonjë përmirësim për qytetarët.
Shqipëria renditet e gjashta në rajon. Para saj u renditën Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Kazakistani dhe Bjellorusia. Pas Shqipërisë renditen Ukraina, Serbia, Moldavia dhe Turqia. Vendi u rendit pas Tunizisë, Surinamit, Panamasë dhe Hungarisë, e cila aktualisht ndodhet në mes të një krize të sundimit të ligjit dhe lirisë së medias.
Në lidhje me mungesën e korrupsionit në qeveri, përfshirë ryshfetin, ndikimin e paligjshëm dhe shpërdorimin e fondeve publike, Shqipëria renditet në vendin 103. Ajo renditet së bashku me Nikaraguan dhe Nigerinë dhe lihet pas nga shumica e vendeve afrikane dhe të Amerikës së Jugut, si dhe nga të gjithë fqinjët e saj rajonalë.
Shqipëria renditet në vendin e 77 për sa i përket transparencës së qeverisë, me anë të së cilës shihet se si një qeveri shpërndan informacione dhe i pajis qytetarët me të gjitha mjetet e kontrollit ndaj tyre. Sipas raportit, korrupsioni është më i përhapur në parlament, sistem gjyqësor, qeveri dhe polici. Raporti merr në konsideratë nëse ligjet themelore dhe informacionet mbi të drejtat ligjore janë të botuara dhe gjithashtu vlerëson informacionin e publikuar nga qeveria.
Sa i përket të drejtave themelore, të përcaktuara në ligjet ndërkombëtare, renditja e Shqipërisë ka një përmirësim të lehtë, duke u renditur në vendin e 49 mes Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bullgarisë.
Në lidhje me rendin dhe sigurinë, Shqipëria renditet në vendin e 31, një vend poshtë Kinës, duke treguar se shteti garanton një nivel të përshtatshëm sigurie për qytetarin dhe pronën.
Sa i përket fuqisë, efektivitetit dhe zbatimit në mënyrën e duhur të rregulloreve, Shqipëria renditet në vendin e 97 përkrah Liberisë dhe Uzbekistanit. Kjo tregon se vendi ka probleme domethënëse në zbatimin e rregullave ligjore dhe administrative brenda dhe jashtë qeverisë.
Këto rezultate, veçanërisht për sa i përket gjyqësorit, procesit ligjor, drejtësisë civile dhe çështjeve të tjera të lidhura me ligjet apo sistemit të drejtësisë, vijnë në një kohë kur Shqipëria po zbaton reformën në drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.