Pas kërkesës për informacion mbi mosveprimet lidhur me dy pallatet në Thumanë, ku humbën jetën 24 qytetarë, me anë të një kërkese zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i kërkon Edi Ramës dhe Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, informacion lidhur me verifikimet e kryera në Godinën Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, e cila u shkatërrua në tërmetin e datës 26 Nëntor dhe ku fatkeqësisht, humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.
Në mënyrë zyrtare, PD kërkon informacion lidhur me këto 4 çështje, kërkohet nëse pas tërmetit të parë është kontrolluar siguria e godinës apo jo.
“Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Ministria e Brendshme verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së Godinës Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e kësaj godine? A u verifikua Godina nr. 4 e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata?”, thuhet në letrën e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Gjithashtu kërkohet si pikë e tretë nëse është vlerësuar nga drejtuesit e Godinës se nga konstatimet faktike, lidhur me dëmet e muraturës, objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë dhe nëse po, kush ka urdhëruar përdorimin e Godinës dhe mbi çfarë baze është bërë kjo?
“A është lajmëruar stafi për gjetjet e ekspertëve dhe për sigurinë e godinës? Nëse po, lutemi na vini në dispozicion kopje të akt njoftimeve”, thuhet në kërkesën e PD-së.
Bajram Hajdarmetaj humbi jetën në tërmetin e rënë më 26 nëntor. Ai po flinte në zonën e Kavalishencës që është objekt i ministrisë së Brendshme. Hajdarmetaj ndodhej në Konvaleshencën e Policisë me punë, për arsye trajnimi të punonjësve të Policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.