Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan lajmëron se do të ndërtohen 500 njësi banimi në Shqipëri, në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti, shtëpitë e të cilëve janë shpallur të pabanueshme apo janë shembur. “Shpresojmë që ekipet tona do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”, është shprehur ai. Agjencia e lajmeve Anadollu e raporton këtë deklaratë të presidentit turk, i cili edhe më parë ka shprehur ngushëllimet për humbjen tragjike të familjeve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Erdogan deklaroi disa ditë më parë kishte biseduar dy herë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të mësuar më shumë për situatën që po kalonte Shqipëria pas tërmetit të tmerrshëm. “Natyrisht qytetet ishin rrënuar seriozisht. Këtu neve na takon diçka, duhet të organizojmë një mbledhje të donatorëve, sepse në lidhje me ndërtesat e rrënuara mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë, gjë e cila është veçanërisht detyrë e Organizatës Islame për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie”, theksoi presidenti turk me 27 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




