Lajme

Kë dhe si duhet të njoftojmë kur lëkundjet e tërmetit na shkaktojnë dëmtime në shtëpi

Paslëkundjet e tërmetit të së martës vazhdojnë ende. Po ashtu edhe pasiguria e qytetarëve për të qëndruar në banesat e tyre.

Por si mund të veprojmë nëse pas një lëkundjeje tërmeti vërejmë dëmtime në shtëpi?
Në momentin që kuptojmë se shtëpia është dëmtuar, e mirë është që të fotografojmë me kujdes vendet e dëmtimit.

Më pas t’i drejtohemi njësisë administrative ku në kontakt me një nga punonjësit përgjegjës do të raportojmë për rastin.

Në varësi të situatës, vlerësohet nëse rasti është për tu verifikuar në mënyrë emergjente apo të jetë pjesë e listës së rasteve të tjera të raportuara.

Pra nëse eksperti nga marrja në pyetje e personit dhe fotot e prura prej tij, vlerëson se rasti është emergjent, dërgon menjëherë në atë banesë grupin e punës që bën vlerësimin nga afër për të vendosur nëse banesa mund të shpallet e pabanueshme ose jo.

Në të kundërt, kur rasti i raportuar nuk paraqet emergjencë, vendoset në listë pritjeje për tu vlerësuar sipas radhës.

Lista depozitohet pranë Ministrisë së Infrastrukturës, pushteti lokal që janë përgjegjës për të hartuar gjithë listat e familjeve/personave që kanë raportuar dëme në shtëpitë e tyre nga lëkundjet e tërmetit.

Më pas listat dorëzohen tek Instituti i Ndërtimit që është nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës ku inxhininierët të ndarë në grupe pune nisin verifikimin në terren.

Pas verifikimit në terren procesverbali i dorëzohet pushtetit vendor, (bashkisë) e cila është përgjegjëse që të marrë vendim në lidhje me banesat e verifikuara; nëse ato kanë nevojë për shembje dhe ndërtim nga e para, kanë nevojë për rikonstruksion të plotë a të pjesshëm, apo thjesht për meremetime.

Instituti i Ndërtimit ka në organikën e tij 20 inxhinierë, të cilëve dje i janë bashkuar 40 syreshë të tjerë nga Kosova. Sot, sipas zëdhënëit të Ministrisë së Infrastrukturës Flor Serjanit, do të vijnë edhe 16 inxhinierë nga Greqia për të qenë pjesë e grupit të punës së rivlerësimit të ndërtesave. Po ashtu sipas Ministrisë, do të vijnë inxhinierë edhe nga vende të tjera.

Një ditë më parë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku në tryezë me inxhinierët e sapoardhur nga Kosova, u shpreh se në terren do të veprohet me prioritete.

“Ne na duhet të identifikojmë ndërtesat që janë tashmë gati për tu hedhur, demoluar e më pas ndërtesat sipas kategorive; ato sesnsitive, shkollat, ndërtesat komunitare, banesat që kërkojnë rikonstruksion dhe ato që përbëjnë rrezik publik.”- u shpreh Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë