Lajme

Eksod i serbëve nga FSK, strategjia e Beogradit për të parandaluar formimin e ushtrisë

Beogradi po përdor të gjitha mjetet për të parandaluar shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të mirëfilltë. Mediat në Prishtinë raportojnë se pjesë e strategjisë së serbëve është edhe organizimi i dorëheqjeve masive brenda radhëve të FSK-së.

Gazeta “Zëri” shkruan se vetëm brenda dy ditëve kanë kërkuar largimin nga kjo forcë 40 shtetas të Kosovës me kombësi serbe. Largimi, sipas kësaj gazete nuk është me vullnet të lirë nga këta shtetas, por i imponuar në mënyra e forma të ndryshme nga Beogradi.

Të njëjtin shqetësim ka shprehur më herët edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai është vënë në dijeni të eksodit të serbëve, por është i bindur se as kjo nuk do ta ndalë formimin e ushtrisë së Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli flet më konkretisht.

“Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm. Sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata”, shkruan ai në Facebook.

Me Presidentin e Kosovës nuk ndan të njëjtin mendim ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Ai kujton se 10 për qind e ushtrisë duhet të jenë me kombësi serbe.

“Pa pjesëmarrjen në 10 për qind të serbëve nuk mund të formohet ushtria e Kosovës”, u shpreh ai.

Beogradi dhe Prishtina po përballen edhe në një ngjarje tjetër, që në dukje nuk ka lidhje me eksodin e serbëve, por që mund të jetë nxitur nga kjo. Bëhet fjalë për një operacion të ndërmarrë nga forcat speciale kosovare në dy fshatra me shumicë serbe. Disa persona janë arrestuar, pasi dyshohen për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të shtetit të Kosovës.

Në Beograd, politikanët dhe më vonë mediat e interpretuan këtë si masë ndëshkimore ndaj anëtarëve serbë të FSK-së që kanë kërkuar largimin dhe thonë se të arrestuarit janë pikërisht këta persona.

Policia e Kosovës e mohoi këtë.

“Për hir të së vërtetës duhet të denoncojmë lajmin e përhapur në disa media dhe portale serbe, ku thuhet se operacionet e policisë po godasin ish-anëtarë të FSK-së. Sqarojmë se këto pretendime janë të rreme dhe spekulative nga mediat serbe”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Pjesa më e madhe e serbëve që kanë kërkuar largimin nga FSK janë nga zona e Gjilanit. Pikërisht këtu, sipas mediave serbe, u përqendrua edhe operacioni blitz i forcave speciale të policisë kosovare, ku thonë se janë arrestuar disa zyrtarë vendorë serbë, që dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj anëtarëve të FSK-së për dorëheqjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë