Politike

Çfarë tha Borchardt më 10 qershor

Vënia në diskutim e dekretit që anulonte 30 qershorin është njëra prej arsyeve që Presidenti Ilir Meta shpalli ‘non grata’ në Presidencë Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.

Në letrën që Meta i ka dërguar Asamblesë së Përgjithshme të OSBE në Vjenë citon deklaratën e 10 qershorit të Borchardt. Borchardt i përgjigjej kështu interesimit të gazetarëve në ditën që Ilir Meta firmoste dekretin anulues të 30 qershorit:

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti?

Borchardt: Kryetari i Radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar. Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm. Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor.

Pyetje: Kriza politike mund të përshkallëzohet. Cili është apeli juaj për palët? Presidenti ka folur për një përplasje, nëse mbahen zgjedhjet më 30 qershor?

Borchardt: I tërë komunitetit ndërkombëtar e ka deklaruar qartë se protestat dhe demonstratat janë një e drejtë demokratike; trazirat dhe dhuna zhvlerësojnë përgjegjësit e tyre dhe përgjegjës janë organizuesit. Ata janë përgjegjës për dhunën e organizuar.

Pyetje: Si e shihni procedurën e shkarkimit të Presidentit të nisur nga maxhoranca të enjten e ardhshme?

Borchardt: Sikurse thashë, vendimi u takon institucioneve shqiptare. Kjo është një çështje e parlamentit dhe më pas e Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: Për OSBE-në, do të ketë zgjedhje më 30 qershor?

Borchardt: Sikurse thashë, institucionet shqiptare duhet të marrin një vendim për këtë.

Pyetje: Por në kushtet kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, pasi z. Ambasador tha se duhet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese?

Borchardt: Këto janë çështje ligjore shumë, shumë të ndërlikuara, për të cilat ka shumë pikëpamje. Do ta shohim se çdo të ndodhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë