Për më shumë se pesë orë, kryeministri Edi Rama dhe fituesi të zgjedhjeve të Kosovës, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti patën një takim “kokë më kokë” për të biseduar mbi të ardhmen e bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare. Kurti pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe se takimi me Ramën u pa edhe si një “shkrirje e akujve” mes tyre. Mungesën e takimeve me Ramën është një fakti i pranuar dhe nga vetë lideri i Vetëvendosjes, i cili shprehet për median se kishte shumë kohë pa u parë diku rreth 14 muaj. “Kishte shumë tema e çështje që duhet t’i bisedonim, aq më tepër që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme dhe unë si kryeministri i ri dua dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me kryeministrin e Shqipërisë. Biseduam për çështje të cilat i kemi të përbashkëta, por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojnë prandaj duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria dhe Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, e më të papunët e më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, deklaroi Kurti për median.

I pyetur nga gazetarët, nëse janë thyer akujt mes tij dhe Ramës, Kurti u përgjigj: “Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara, ne jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, duam që të punojmë që diferencat që kemi kurrsesi të mos rrezikojnë bashkëpunimin tonë”.
Kryeministri i ardhshëm i Kosovës u ndal edhe te ideja e hedhur për krijimin e një Shengeni Ballkanik, ku pati dhe një takim në Novi Sad mes Ramës, Vuçiç dhe Zaev dhe se sfida e ardhshme është takimi i 10 nëntorit në Ohër. “Pres që ta shoh një tekst që të shoh saktësisht se çfarë nënkupton ai. Më ngjan më shumë si një ide, sesa një projekt. Diskutuam për çështjet dhe temat që do të bashkëpunojmë”, u shpreh Kurti.
Lideri i Vetëndosjes dha edhe mendimet e para në lidhje me idenë e propozuar nga kryeministri Rama, për të patur nga një ministër shteti në qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, që do të ndjekë zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve. “Ne kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do bashkëpunojmë, organigramet e qeverive vijnë më vonë”, u përgjigj Kurti. Ai thotë se do të vijojë tradita e mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë Shqipëri-Kosovë dhe se më e rëndësishme sipas tij është zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Mes Prishtinës dhe Tiranës ka pasur disa mbledhje të përbashkëta qeverie dhe se gjatë kohës së Haradinaj pati një stopim.
Nga Kryeministria nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë takim të shumëpritur dhe se Rama u mjaftua vetëm që të bënte një postim në rrjetet sociale, duke theksuar kohën e gjatë të diskutimit dhe se biseda mes tyre u ndërpre nga aktori i njohur francec Gerard Depardieu. “Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirë koordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin “Unë dhe Millosheviçi””, shkruan Rama në Facebook.
Lideri i i Vetëndosjes ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Paqes së Europës Juglindore, që mbahet për herë të parë në Shqipëri. Në këtë eveniment është i pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Shqipëria është shtëpia ime, mirë se keni ardhur!” Kjo ka qenë ftesa e mirëseardhjes së kryeministrit të zgjedhur të Kosovës Albin Kurti në Samitin e Paqes dhe Sigurisë për Evropën Juglindore që mbahet në Tiranë.
Lideri i Vetëvenodsjes u shpreh se samite të tilla janë shumë të vlefshme, pasi i bëjnë njerëzit bashkë dhe shërbejnë për të shembur muret e ndasive mes vendeve.
“Ndjehem si në shtëpinë time dhe këtu në Tiranë, kështu që mirë se keni ardhur. Samite të tilla që bëjnë bashkë njerëzit janë tejet të vlefshme për të ardhmen, njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në bashkësi. Kjo është detyra jonë që të bëjmë njerëzit bashkë dhe të kuptojmë se angazhimi për paqen na mundëson përparimin. Para 30 vitesh ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së ftohtë, mirëpo ndasitë kanë vazhduar se në vend të një muri të madh, kemi mure të vegjël që na ndajnë mes nesh. Është e domosdoshme të themi që nuk ka asnjë alternativë më të mirë sesa paqja”, tha ndër të tjera Albin Kurti.
Ndër të tjera ai shtoi se pasi fitoi zgjedhjet u është zotuar kosovarëve për drejtësi dhe punësim. “Ne si Vetëvendosje fituam zgjedhjet dhe tani kemi një punë të madhe përpara që të plotësojmë këto kërkesa të qytetarëve. Në Kosovë të gjithë duan punë dhe drejtësi”, tha më tej Kurti.
Samiti i Paqes, i cili po mbahet në Pallatin e Kongreseve do të zgjasë deri më datë 27 të këtij muaji. Samiti organizohet nga Federata e Paqes Universale, si pjesë e një serie në vazhdim samitesh anembanë botës që mbështesin ndërvarësinë, begatinë e ndërsjellë dhe vlerat universale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




