Presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Ilir Meta dhe Hashim Thaçi kanë marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito, e cila u zhvillua në Pallatin Perendorak në Tokio. Dy presidentët ishin ishte në mesin e 100 personaliteteve nga e gjithë bota në pallatin perandorak në Tokio. Naruhito, 59 vjeç, njoftoi ndryshimin e statusit të tij në botë, në një seri ritualesh të hollësishme të njohura si “Sokui no Rei” në Pallatin Perandorak në Tokio. Ceremonia u mbajt rreth orës 06:00 me orën tonë. Mes personaliteteve të ftuar në ceremoni ishte edhe Princi Charls i Mbretërisë së Bashkuar.

“Shumë i nderuar të merrja pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Madhërisë së Tij Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito. I urova jetë të gjatë dhe suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme, me besimin e plotë se gjatë Erës së Madhërisë së Tij, marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve e popujve tanë, do të forcohen më tej”, shkruan Meta në një status në Facebook.
Edhe presidenti Hashim Thaçi me anë të një statusi në Facebook e ka cilësuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni si një vlerësim.
“Nder i veçantë për mua dhe Republikën e Kosovës që të marr pjesë në banketin e shtruar për të shënuar proklamimin e marrjes së fronit perandorak nga Perandori Naruhito në Pallatin Perandorak në Tokyo dhe t’i shpreh në emër të popullit të Kosovës, Perandorit Naruhito dhe tërë popullit japonez, urimet tona për paqe, mbarësi dhe prosperitet në periudhën Reiwa”, shkruan presidenti Thaçi.

Në ceremoninë e fronëzimit të perandorit Naruhito, të ftuari kanë qenë të veshur me një kostum “White tie”, ka marrë pjesë në një seri ritualesh, të njohur me emrin “Sokui no Rei”. Veshja me një kostum karakteristik me frak, këmishë, papion dhe doreza të bardha, të stilit perandorak.
Presidenti Meta që prej datës 20 tetor ndodhet në Japoni dhe atje sipas njoftimit të Presidencës do të takohet edhe me kryeministrin e Japonisë, Shinzō Abe. Gjithashtu kreu i shtetit është takuar edhe me kryeministrin e Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc.

Presidenti Ilir Meta është takuar në Japoni me Nobelisten e Paqes dhe politikanen e Burmës (Myanmar), Aung San Suu Kyi. Në një postim në Facebook, Presidenti Meta shktuan: “ishte kënaqësi të takoja sot Nobelisten e Paqes të mirënjohur, Aung San Suu Kyi, zonjë e jashtëzakonshme dhe shembull frymëzimi për demokraci në mbarë botën!”. Por një postim i tillë në Facebook u fshi nga faqja zyrtare, pas reagimeve të shumta. Ajo akuzohet se ka kryer krime kundër njerëzimit dhe se është menduar t’i hiqej çmimi Nobel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




