Pak pasi Lulzim Basha përfundoi deklaratën e tij për shtyp, ku kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme, kreu i Qeverisë doli nga një mbledhje e kryesisë së Partisë Socialiste, ku fjalën e nisi me “proces zgjedhor”, por brenda partisë.
“Ne jemi në proces zgjedhor brenda partisë. Jemi dakordësuar mbi propozimin e grave anëtare të kryesisë se partisë dhe deputetet ministre që të nisim procesin e përfshirjes së grave dhe vajzave si bashkëkryetare të organizatës socialiste. Jemi forca më e votuar nga gratë dhe vajzat në Shqipëri. Ne mbrojmë bindjen se kur duhet bërë muhabet, muhabeti bëhet me burrat, puna bëhet me gratë”, deklaroi ai.
Jashtë diskutimeve të Kryesisë nuk ka mbetur as çështja e negociatave. Basha akuzoi Ramën si pengmarrës të rrugës europiane për Shqipërinë, por Rama tha se refuzimi i BE-së nuk cenon trajektoren strategjike të vendit. Rama përsëriti qëndrimin se refuzimi ishte pasojë e përplasjeve të brendshme të BE-së dhe shtoi se në agjendë ka disa komunikime me Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe drejtues të tjerë të Bashkimit Europian.
“Në ditët në vijim ka disa komunikime me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit. Në aspektin praktik ne jemi të qartë që duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, sepse edhe nëse do të kishim marrë një po, detyrat janë po ato, që janë edhe pa atë po. Të ecim me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të miratojmë në Parlament të gjitha rekomandimet e OSBE”, deklaroi ai.
Sa i takon ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri u shfaq më i lëkundur nga deklarata e bërë disa ditë më parë, kur tha se kjo gjykatë do të jetë funksionale brenda këtij viti. Këtë herë, ai tha se jo gjithçka varet nga mazhoranca në Kuvend.
“Të presim, se në këtë aspekt nuk kemi ç’të bëjmë ne më shumë për plotësimin e gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe me radhë”, shtoi Rama.
Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen dhe në kërkesën e Lulzim Bashës nuk sheh asgjë të re. Rama akuzoi opozitën se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kohë kur dogji mandatet dhe nisi protestat kundër Qeverisë kanë bërë gjithçka për bllokimin e negociatave.
“Ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gurë pa luajtur për të dështuar procesin. Nuk ja kanë dalë, sepse kemi arritur të kapërcejmë pengesat e ngritura artificialisht në 6 muajt e parë të vitit, duke marrë mbështetjen e Gjermanisë”, u shpreh Rama.
Reforma zgjedhore është njëri prej kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, që duhet të plotësohet para se të hapen negociatat. Rama u zotua se kjo reformë do të votohet brenda këtij viti në Parlament, me apo pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.
“Reformën do të bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë proces dhe do ta votojmë në Parlament dhe në Parlament ka një opozitë që është e përfshirë në reformën zgjedhore, ku një karrige është bosh për miqtë tanë të opozitës jashtëparlamentare. Brenda këtij viti miratojmë reformën sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, deklaroi kreu i Qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.