KQZ e Kosovës nën shënjestrën e akuzave teksa ende nuk ka nisur numërimi i votave me postë.
Mediet kosovare raportojnë se rreth 19 kuti me mijëra fletëvotime po pretendohet se kanë arritur në Kosovë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, në Facebook, ka akuzuar institucionet e Kosovës se kanë lejuar një gjë të tillë.
Krasniqi më tej ka shkruar se Ministria e Brendshme e Serbisë, së bashku me Doganën dhe Policinë e Kosovës, kanë sjellë këto zarfe pa kaluar fare rrugët postare, ashtu edhe siç kanë kaluar votat e diasporës shqiptare.
Kurse zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë pretendim.
Më tej Elezi ka sqaruar se votat me postë, me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, do të fillojnë të numërohen javën e ardhshme.
Disa prej anëtarëve të KQZ-së janë shprehur se nuk mund të deklarohen para se të marrin raport përfundimtar për çështjen e votave me postë.
Mbledhja e KQZ-së, e cila ishte planifikuar të mbahej të premten, është shtyrë me argumentin se mungon materiali që do të duhej të diskutohej në mbledhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.