Me 103 vota pro dhe 3 abstenime Kuvendi ka miratuar zgjatjen me 2 muaj të afat për komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Kërkesa për zgjatjen e afatit u paraqit pas kërkesës së komisionit, për shkak se janë në pritje të raportit të ekspertëve të Venecias, që pritet të publikohet më 12 tetor. Për shtyrjen e këtij afati pati vetëm tre vota abstenim nga opozita, pjesa tjetër e deputetëve ishin pro. Afati i komisionit hetimor ishte deri më 8 tetor, por meqënëse raporti i Venecia dilte përtej kësaj date, Kuvendi u detyrua që të shtynte një afat të tillë.

Ka qenë vetë parlamenti që iu drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias me 8 pyetje për juristët ndërkombëtarë për të përcaktuar nëse presidenti e gëzonte të drejtën për të nxjerrë një dekret të dytë për shfuqizimin e zgjedhjeve, siç edhe e ndërmori duke anuluar 30 qershorin dhe nxjerrë një dekret të dytë 13 tetorin, i cili nuk u zbatua nga mazhoranca.
Gjithashtu Kuvendi ka miratuar me 104 vota pro edhe rezolutën për çështjen e integrimit europian. Rezoluta e miratuar ka 10 pika kryesore dhe afirmon nevojën për reforma dhe për ngritjen e institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë, si SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. “Duke konsideruar që anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian tejkalon çdo interes partiak pasi mbështetet nga gati tërësia e qytetarëve shqiptarë, inkurajojmë vendet anëtare të Bashkimit Europian që në takimin e ardhshëm te Këshillit Europian të shprehin vullnetin e tyre për çeljen e negociatave të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Europian”, thuhet në pikën 10 të kësaj rezolute të votuar me shumicën e votave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




