Politike

Hajdari, Ramës: Ke frikë nga Majko e Bushati, ja kur duhet të hapësh krahun

Deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka përdorur të njëjtën batutë si të liderit të opozitës, duke i treguar kryeministrit edhe rastin se kur duhet të hapë krahun, duke ikur nga posti i kryeministrit. Hajdari e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si “delja e zezë” që nuk po lejon integrimin e Shqipërisë në BE. Nga foltorja e Kuvendit, deputetja Hajdari tha se duhet ndryshuar ky sistem, i cili sipas saj, është shfrytëzuar dhe keqpërdorur deri në fund nga kryetarët e partive.
“Minimumi që mund të bënte është të thotë “do hap krahun” dhe të ndryshojë sistemin dhe të bëjë lista të hapura. Qeveria bën propagandë gjithandej. Jemi ne dhe ky kryeministër që e ka bërë këtë vend, që shqiptarët të largohen masivisht. Kryeministri është delja e zezë sot, që nuk po i lejon shqiptarët të bëhen pjesë e BE. Rama gënjen herë pas here dhe nuk tregohet i sinqertë. Ne duhet ta ndryshojmë sistemin, sepse e vetmja votë e lirë që do vijë këtu dhe të vetmin njerëz që do e përfaqësojnë këtë Parlament do jenë ata që iu shërbejnë qytetarëve. Sot qytetarët kanë humbur besimin dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për të rikthyer besimin”, theksoi Hajdari.
Për deputeten demokrate, arsyeja se pse kryesocialisti është kundër ndryshimit të sistemit është se ka frikë nga listat e hapura. “Pikërisht ai që e mbante vendin peng, që u kanabizua vendi dhe nuk pati asnjë përgjegjës. Duhet të thoshte sot se Shqipëria e humbi anijen e BE që në 2013, kur mund të behej pjesë; duhet të thoshte se ai është i paaftë dhe partia e tij nuk mbjell dot shpresë; duhet të thoshte që që do hap krahun dhe do ndyshoj sistemin e të mos ketë frikë nga sistemin, pse ke frikë zoti Rama, pse ke frikë nga listat e hapura, ke frikë se mos Ditmir Bushati do të votohej me shumë se ti, se Xhafaj do votohej më shumë, se Majko do merrte me shumë vota se ti sot? Se jeni ju që e ke i ndryshuar kabinetin, që e diktoni këtë qeveri pa asnjë socialist të vërtetë”, theksoi Hajdari.
Gjithashtu ajo theksoi se Shqipëria ka bërë hapa pas, duke rrëzuar pretendimin e kryeministrit se vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se mos çelja e negociatave mund të vijë si pjesë e problemeve të brendshme që kanë vendet e BE-së. “Edhe pse jam në opozitë, dua të sjell një shembull të ri që luftoj përballë një shoqërie maskiliste. Unë nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë para vendit tim. Një vlerësim negativ për Shqipërinë do t’i shtynte shanset tona për të paktën 3-4 vite. Vendimi duhet të ishte marrë që prej vitit 2017, por problemet tona të brendshme e shtyn. Shqipëria ka bërë hapa pas, dështoi me zgjedhjet lokale, ka presion mbi mediat, një opozitë të gjymtuar që sillet në mënyrë destruktive. Gjatë kësaj periudhe ka pas një progres të lehtë në procesin e Vettingut, ngritjen e KLGJ, KLP, etj”, deklaroi deputetja demokrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë