Presidenti Ilir Meta do të publikojë nesër qëndrimin në lidhje me draft-raportin e komisionit të Venecias që vlerëson se vendimi për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nuk ishte i bazuar në Kushtetutë. Burimet konfirmojnë se më 4 tetor do bëhet publik qëndrimi i Presidencës dhe po kështu do të bëhen publike edhe pyetjet e Presidentit për komisionin e Venecias për shterimin përfundimtar të kësaj çështje.
Në raportin prej 19 faqesh që pritet të miratohet nga Venecia më 12 tetor konstatohej tejkalimi i kompetencave kushtetuese nga kreu i shtetit me nxjerrjen e dekretit të anulimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit . Në draft opinionin e tij, Komisioni vërente se sipas tij, nuk janë kushtet për të vërtetuar një shkelje serioze që do të çonte në shkarkimin e tij.
I vetmi rast që Presidenti mund të anulojë zgjedhjet lokale, thuhet më tej në opinion, është situata emergjente, por edhe në këtë rast duhet vepruar në përputhje me parashikime në ligj ose zgjidhje ligjore ad-hoc (rregulla të vendosura me ligj,të përkohshme).
“Anulimi i zgjedhjeve sipas legjislacionit vendas bëhet kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, procedurë që normohet nga Kushtetuta. Në rastin e anulimit të 30 qershorit kjo procedurë nuk është respektuar.”, thuhet në raport
Në përfundimet e tyre, pasi kanë analizuar me detaje të gjithë rastin, ekspertët e Komisionit theksojnë se “në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Por sipas tyre “edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet”. Venecia në këtë raport thekson se kjo nuk përbën ndonjë shkak për të shkarkuar Presidentin nga Parlamenti.
Ndërkaq vetë presidenti edhe pas publikimit të këtij draft-raporti ka deklaruar se kryer zero shkelje të Kushtetutës dhe se e ka mbrojtur atë, duke shtuar se do të qëndrojë në këtë detyrë deri kur t’i mbarojë mandatin, më 24 korrik të 2022. Nga ana tjetër, mazhoranca shprehet se vendosur për vijimin e procedurave për shkarkimin e Presidentit, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




