Politike

Reforma zgjedhore, Basha-Ramës: Planin tonë e ke, zbatoje, ndryshe hap krahun!

Aleatët e opozitës u mblodhën sot në selinë blu për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm që duhet të marrin për aksionin e tyre politik. Sot në mëngjes në selinë e PD krerët e LSI, Monika Kryemadhi, PR-së, Fatmir Mediu, Nard Ndoka i PDK-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, Agron Duka i PPA dhe Dashamir Shehi i LZHK-së paten nje diskutim për rreth një orë për aksionin e mëtejshëm politik.
Pas këtij takimi, kryedemokrati ka dhënë një prononcim të shkurtër për median duke dhënë qëndrimin e tij mbi krizën politike. “Nuk është çështje për Bashën dhe për Ramën. Shqipëria është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza. Kemi plan për reformën zgjedhor. Ia kemi dorëzuar.. ta marrë ta zbatojë nëse nuk e zbaton dot të hapë krahun e zbatojmë ne”, deklaroi shkurtimisht kryedemokrati ndërsa u largua me shpejtësi nga selia blu.
Ky qëndrim ishte një përgjigje ndaj asaj që kryeministri Edi Rama kishte deklaruar një ditë më parë në një intervistë televizive se ishte i gatshëm që të shkonte në selinë e PD-së, për t’u takuar me Bashën për reformën zgjedhore.
“Kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është çështje vendi, formati, apo imponimi të axhendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon” u shpreh Rama në intervistën për Report TV.
Kryedemokrati Lulzim Basha i referohet pikërisht asaj platforme që opozita e bashkuar e paraqiti në tryezën e reformës zgjedhore të zhvilluar një javë më parë nën patronazhin e OSBE-së. Kjo plaftormë u paraqit nga përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso në këtë tryezë dhe se përmban kryerjen e reformës nën patronazhin e ndërkombëtarëve. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”, ishte një nga kërkesat e paraqitura në tryezën e OSBE-së ku u diskutua për ndryshimin e sistemit. Ndërsa mazhoranca ka rrëzuar idenë e shmangies së institucioneve, duke kërkuar që ajo të realizohet nga komisioni i reformës zgjedhore dhe nga Parlamenti. Kryeministri Rama në të kundërt ka paralajmëruar që të miratojë reformën zgjedhore, pa “bekimin” e PD-së dhe aleatëve saj, duke shpresuar që të marrë votat e deputetëve që njihen si opozita e re në Parlament.

Kryemadhi: Basha flet në emër të opozitës, jo takim të Ramës pa 5 kushtet
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kushtëzon takimin e kryeministrit Edi Rama me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me përgjigjen për paketën me 5 kushteve që opozita i ka vënë në tryezë kryeministrit Edi Rama. Ajo nënvizoi se është momenti për të nxjerrë vendin nga kriza ndërkohë që Rama kërkon të ruajë kokën e vet.
“Opozita ka një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza. Platforma e opozitës i jep zgjidhje krizës politike. Lulzim Basha përfaqëson opozitën, jo vetëm PD. Edi Rama nuk do dialog”, tha Kryemadhi.
Duke folur pas takimit me aleatët, kryetarja e LSI-së, u shpreh kundër një takimi me kryeministrin pa u plotësuar pesë kushtet e vendosura. “Nuk ka takim të Ramës pa kthyer në radhë të parë përgjigje për paketën me 5 kushte që opozita i ka vendosur në tryezë kryeministrit. Sot është çështja si të nxjerrim nga kriza vendin dhe duhet të mendojmë bashkarisht. Ndërkohë Edi Rama ka problem të ruajë kokën e tij.

Kryemadhi duke folur pas takimit me aleatët në selinë e PD-së


Ajo nuk kurseu ironitë me Ramën, duke u shprehur “le të vijë tek selia e PD-së por ka 5 kushte të kthejë përgjigje dhe më pas takohemi se Rama është humorist, sidomos kohët e fundit kur kemi mbetur pa humoristë”.
Edhe për kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu përgjegjësia për zgjidhjen e krizës i takon kryeministrit Edi Rama dhe se opozita e a depozituar platformën, duke bërë ofertën e saj. “Është e papranueshme për një kryeministër, por më tepër për kryetarin e mazhorancës që të bëjë gjithmonë lojëra fjalësh, një herë jam për dialog, një herë nuk jam për dialog, njëherë dua të ulem, njëherë nuk dua të ulem, dua të vij tek selia e PD apo nuk dua të vij. Nuk është çështje batutash më. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta shohim situatën ashtu siç është, për më tepër kryeministri i vendit. Është e rëndësishme të shohim kush janë problemet që ka Shqipëri dhe problemet sot janë në anën e Ramës. Ka nevojë vetëm për të marrë përgjegjësi dhe përgjegjësi kryesor padyshim është Rama. Ofertën ia kemi bërë Ramës. Ka nevojë vetëm për të marrë përgjegjësi dhe përgjegjësi kryesor është vetëm Rama”, deklaroi Mediu.

Pikat e plaftormës së opozitës së bashkuar për “Reformën Zgjedhore”
Opozita e Bashkuar i përgjigjet pozitivisht ftesës së partnerëve ndërkombëtarë, angazhohet të mbështesë realizimin e saj.

Reforma duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke përjashtuar personat që janë subjekt të hetimeve penale,pasi janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme

Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.

Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për realizimin e reformimit të kuadrit ligjor zgjedhor dhe nuk është organ përfaqësues i vullnetit të qytetarëve. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.

Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar.

Reformat Zgjedhore marrin kuptim vetëm atëherë kur krimet elektorale të së shkuarës të jenë hetuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur, dhe autorët e krimeve të jenë përballur me ligjin.

Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore: • shitblerja e votës; • presioni mbi zgjedhësit në administratë publike; • abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, pra mos ndarja e shtetit nga partia në pushtet; cenimi i sekretit dhe lirisë së votës; manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit.

Zbatimi i Rekomandimeve teknike të OSBE-ODIHR kërkon ndërhyrje në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Kodin Zgjedhor, ligjin e administratës publike, ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Mediat Audio-Vizive, etj.

Kërkohet garanci për reformën nga institucionet për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.

Ofrimi i garancive për vendimmarrje të drejtpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të Referendumeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë