Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar për vendimin e marrë nga Bundestagu gjerman pro çeljes së negociatave. Nëpërmjet një postimim në rrjetet sociale, Kryemadhi shprehet se vendosja e nëntë kushteve ndaj Shqipërisë janë si një semafor i kuq ndaj kryeministrit Rama.
“Maqedonia e Veriut shkon e sigurt drejt bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Shqipëria vendoset përballë sfidave që e kanë stërmunduar prej vitit 2016, kur u mor edhe rekomandimi i parë pozitiv. Nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu për hapjen e negociatave janë një semafor i kuq për Edi Ramën, pasi flasin qartë për kapjen e Sistemit të Drejtësisë, për krizën kushtetuese dhe institucionale, pandëshkueshmërinë e blerjes së votës dhe intimidimin e votuesve, si dhe paligjshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit, ku Edi Rama vendosi ta kthejë Shqipërinë në një sistem monopartiak, duke synuar zhdukjen e pluralizmit politik!”, shpreh kryetarja e LSI-së.
Sipas saj, vullneti i mirë i Gjermanisë për negociatat nuk do të thotë çelje e tyre e menjëhershme, por do të thotë shans që shqiptarët të ndërtojnë shtetin e së drejtës dhe Shqipëria të plotësojë minimumin e standardeve demokratike, në mënyrë që të jetë e denjë për të hapur negociatat me BE.
“Sot nuk është momenti i dekoratave si ato të 2018-ës, as për shampanjë apo euforizëm politik. Tani është koha ku gjithsecili nga ne duhet të marrë përgjegjësi përballë sfidave reale të vendit dhe përballë qytetarëve. Shqipëria evropiane është detyrimi ynë ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Me përgjegjshmërinë, që duhet të kemi para tyre, kam shprehur prej kohësh bindjen e LSI-së për institucionalizimit e dialogut mes forcave politike në vend. Jo dialog për interesa individësh dhe karrigesh të pushtetit, por dialog transparent për qytetarët, gjithëpërfshirës e të sinqertë në shërbim të shqiptarëve dhe që lehtëson hallet që rëndojnë mbi ta”, shprehet Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




